Tiranë – Prof. Pëllumb Xhufi, historian, e shikon me dyshim përfshirjen në pyetësorin e regjistrimit të ri të popullsisë të elementit të vetëdeklarimit të kombësisë.
Sipas prof. Xhufit nga ky lloj regjistrimi do të dalë më siguri një hartë etnike e shpërfytyruar. Ai quan si antikushtetues edhe vetedeklarimin e besimit fetar.
“Në bazë të Kushtetutës shteti është laik dhe nuk mund të përzihet me çështjet e fesë dhe t’i detyrojë qytetarët të shprehin besimin e tyre.
Një regjistrim të tillë mund ta bëjnë OJF-të ose vetë komunitetet fetare të interesuara, por jo shteti”, thotë prof. Pëllumb Xhufi. Duke iu referuar vetëdeklarimit të pupollsisë në proçesin e ri të regjistrimit që do të nisë më 1 tetor të këtij viti, prof.Xhufi thotë se, kjo do të shkonte në favor të qarqeve të shpallura antishqiptare, veçanërisht tek fqinjët grekë.
Duke u kthyer prapa në histori, prof. Xhufi shpjegon se qysh nga viti 1921, Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve duke bërë një deklaratë për mbrojtjen e lirive e të drejtave të minoriteteve, kryesisht të minoritetit grek. Vit pas viti autoritetet zyrtare shqiptare e kanë bërë deklarimin e listës së vendndodhjeve të këtij minoriteti, si dhe kushtet e jetesës dhe të të drejtave të tij.
“Më duket se sot kur Shqipëria ka një Kushtetutë që bazohet tek qytetari, ku trajtohen të gjithë pa dallim kombësie, feje, ngjyre, apo ideje – kjo është një kthim prapa në standardet do të thosha të karakterit bizantino-otoman dhe jo që të përputhet me standardet europiane.
Pra, ne e kemi të regjistruar etnicitetin e qytetarëve tanë që në atë kohë. Minoriteti është i njohur dhe asnjëherë nuk i është hequr e drejta për të qënë i tillë. Dhe në fund të fundit ligji ndërkombëtar e thotë që të qënit minoritar nuk është një e drejtë për t’u deklaruar i tillë, por është çështje e faktit të të qënit si i tillë.”-thotë ai.
Monday, 19 September 2011 15:00