Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 12:51

TIRANË, Akademia e Filmit Marubi, pas kinemasë braziliane, rikthehet me kinemanë hollandeze, me filma artistik, me metrazh të shkurtër e dokumentar.

Projeksionet e filmave fillojnë që prej mbrëmjes së sotme me filmin e shkurtër “Macja dhe minjtë” i e regjisorit  Nova Van Dijk, prodhim i vitit 2010. Po sot do të shfaqet edhe dokumentari “Shkretëtirë e trishtë” nga regjisori Digna Sinke.

Subjekt i dokumentarit është ishulli Tiengemeten që dikur iu përftua detit, për qëllime bujqësore. Në vitet 90-të, u mor një vendim që t’i lihej tokë natyrës për të ndjekur ritmin e saj. Digna Sinke i ndoqi ndryshimet në peisazh për  një periudhë më shumë se 13 vjet, duke mbledhur po ashtu edhe ndryshimet në vetë jetën e saj.

Të martën, 20 shtator, regjisori holandez Steven de Jong do të prezantojë filmin e tij “Ferri I ’63-shit”, një prodhim artistik i vitit 2009. Filmi është i bazuar në një garë famëkeqe patinazhi që u mbajt në veri të Holandës.

Ai sjell fakte reale të ditës së tmerrshme të vitit 1963 kur, për shkak të rënies së temperaturave dhe terrenit të vështirë me mijëra patinatorë pësuan ngrirje trupi dhe lëndime tronditëse.

Vetëm një numër i vogël do ta kalonin  vijën e mbarimit të garës, por për ata që mundën, kjo do të ishte një ngjarje që do t’u ndryshonte jetën. Po atë ditë do të shfaqet edhe filmi i shkurtër vizatimor “Rregullat e DirkJanit!” me regjisor Remco Polman dhe Ëilfred Ottenheijm.

Pjesë e programit janë edhe dy realizimet hollandeze, filmi i shkurtër “Dhe deti nuk ishte më” i regjisorit Bert Haanstra dhe dokumentari “Para Përmbytjes”, regjisor Jos de Putter, i dokumentar i së ardhmes pjesërisht i vendosur në Holandë në vitin 2070 kur duket se pjesa më e madhe e vendit do të jetë nën ujë.

Në ditën e fundit të javës kushtuar filmit hollandez do të shfaqet filmi “Stuhia” me regjisor Ben Sombogaart, i pari film që trajton fatkeqësinë më të madhe natyrore në historinë moderne holandeze kur digat jug-perëndimore ranë për shkak të erës dhe ujit në vitin 1953. Gjithashtu do të shfaqet dhe filmi i shkurtër eksperimental. “Lojë e stuhishme” i Ruth Meyer.

Filmat do të shfaqen që çdo mbrëmje në orën 19:00. Pas kinemasë hollandeze Marubi do të shfaq prodhime kinematografike ruse, pjesë e programit të Ditëve të Kulturës Ruse në Shqipëri.