Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 10:17

Bulqizë- Minatorët  kanë rifilluar mëngjesin e të hënës grevën e urisë, pranë zyrave të kompanisë Albanian Chrom “ACR”, bëri, Kreu i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikolla.

Ashtu siç ishte dhe paralajmëruar, nga përfaqësia e minatorëve dhe Kreu i Konfederatës Nikolla, ditë më parë, minatorët nisën “raundin” e dytë të grevës së urisë.

Ata rreth orës 7:00 mëngjesit tentuan të hynin në minierë, për të vijuar grevën aty ku e ndërprenë atë, por diçka e tillë nuk i’u lejua për shkak të riparimeve që po kryhen aty, çka bëri, që ata të vijonin drejt rrethinave të minierës, pranë zyrave të kompanisë Austriake, ku dhe u vendosë për fillimin e grevës.

Vendimi i marrë nga përfaqësia e minatorëve ditën e enjte, erdhi si pasojë e mos realizimit të njërës prej kërkesave të tyre, asaj të largimit të drejtorit të minierës. Kërkesë kjo e konsideruar nga ACR, si jashtë kompetencave të punës së minatorëve ndërsa ka përsëritur disa herë, që kjo kërkesë nuk do merret parasysh.

ACR, nga krahu tjetër, ka ripërsëritur thirrjen e saj, në të cilën fton minatorët të nisin punën në mënyrë që të kthehet normaliteti në minierë.

Sipas kësaj kompanie, janë plotësuar të gjitha kërkesat e parashtruara nga minatorët, që kanë të bëjnë me rritjen e pagës, fillimin e investimeve që do të përmirësojnë kushtet e punës si edhe realizimin e këtyre investimeve duke informuar minatorët, se “ACR” ka ofruar zgjidhje financiare edhe për ditët e grevës së paligjshme, kjo sipas saj për t`ju ardhur në ndihmë minatorëve në situatën e vështirë financiare në të cilën ndodhen. “Rifillimi i punës në minierë mbahet peng e një kërkese absurde për shkarkimin e administratorit”, kanë theksuar përfaqësuesit e kësaj kompanie.