Shkup – Në Kongresin e Demokracisë së Re (DR), i cili pritet të mbahet kah fundi i këtij viti nuk do të ketë ndonjë emër të njohur i cili do të garojë për të marrë drejtimin e këtij subjekti politik.
Pas dorëheqjes së liderit partiak Imer Selmani dhe disa funksionarëve të tjerë, ambiciet për të marrë kreun e partisë nuk janë të mëdha. Kjo parti siç është e njohur nuk arriti që në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit të sigurojë së paku një deputetë, që ishte edhe arsyeja për shpartallimin e saj.
Ushtruesi i detyrës, kryetar i DR-së Kastriot Haxhirexha ka thënë se Kongresi i partisë do të mbahet kah fundi i këtij viti ku pritet të zgjidhet edhe kryetari i ardhshëm i DR-së. Vetë Haxhirexha ka thënë se nuk do të kandidohet për kryetar partie, por mendon se do të jetë pjesë e saj.
“Kah fundi i këtij viti do të mbahet Kongresi i partisë ku pritet të zgjidhet lideri i ri i partisë. Unë nuk do të jem kandidat. Do të ketë më shumë se dy kandidatë të cilët do të synojnë kreun e DR-së, të cilët do të vijnë si propozim nga degët e partisë dhe organet tjera partiake. Mendoj se edhe më tej do të jem pjesë e partisë”, ka thënë Haxhirexha.
Ai ka shtuar se DR-ja do të jetë aktive në skenën politike dhe do të jetë një opozitë e cila do të jap kritikat e saj ndaj pushtetit.
“DR-ja do të jetë aktive në skenën politike dhe do të veprojë si një opozitë, me çka do të jetë zë i fortë në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve”, ka shtuar më tej Haxhirexha. Edhe krahas përpjekjeve nuk arritëm të marrim prononcimin e ish liderit të kësaj partie Imer Selmani, i cili që nga humbja e zgjedhjeve nuk është shfaqur në opinion. I pa interesuar për të udhëhequr partinë si duket është edhe kryetari aktual i Haraçinës, Bastri Bajrami, i cili vetëm për 34 vota nuk arriti të sigurojë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë, si bartës liste i DR-së në njësinë e dytë zgjedhore.
“Unë mbetem aty ku jam, pra do të vazhdojë detyrën e kreut të komunës së Haraçinës”, citohet të ketë thënë Bajrami.
Pas zgjedhjeve të parakohshme të 5 qershorit në të cilat Demokracia e Re (DR) nuk arriti të sigurojë asnjë mandate në Parlamentin e Maqedonisë, lideri i partisë Imer Selmani dha dorëheqje, ndërsa Haxhirexha u caktua ushtrues detyre i kryetarit të DR-së.
Kjo shkaktoi edhe çarje dhe pakënaqësi tjera brenda radhëve të kësaj partie që pasoi edhe me largimet e zyrtarëve tjerë si Flora, Kadriu, Abedin Zymberi, ndërsa pak kohë para zgjedhjeve u largua edhe Sulejman Rushiti, ndërsa shumë kohë më parë edhe Besim Dogani. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 September 2011 19:31