Lajme Shqip Sunday, 18 September 2011 19:37

Tiranë – Dy ditë pas vendimit të Gjykatës të Kushtetuese që rrëzoi dispozitën e ligjit të Gjendjes Civile të  vitit 2009, ku përcaktohen procedura e ndryshimit të kombësisë, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Armand Teliti, sqaroi se të dhënat e censusit nuk janë pjesë e të dhënave të Regjistrit të Gjendjes Civile të shtetasve, por i shërbejnë studimeve ekonomike e të tjera që INSTAT do të bëjë me procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me censusin ose regjistrimin e popullsisë, të dhënat e të cilit do të jenë tërësisht në dispozicion të INSTAT për qëllime statistikore, studimore dhe politika të zhvillimit dhe të dhënat e tij nuk janë në asnjë rast pjesë e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të Shtetasve”, u shpreh Teliti sot gjatë deklaratës së tij .

Duke u ndalur në vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese, Teliti tha se ky vendim shtrin në ligjin e Gjendjes Civile vendimin e Qeverisë për heqien nga çertifikatat e Gjendjes Civile të kombësisë, si element i të dhënave të gjendjes civile të shtetasve.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të premten dispozitën që përcakton nocionet e ndryshimit të kombësisë së qytetarëve në ligjin e “Gjendjes civile”.

Duke i cilësuar si ‘antikushtetuese” dispozitat për ndryshimin e kombësisë, Kushtetuesja vendosi me 6 vota pro dhe 2 vota kundër në favor të tre gjykatave rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet, të cilat kanë kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit “kombësi”.

Në pretendimin e tyre, tre gjykatat e shkallës së parë në vend u shprehen se ligji “Për Gjendjen Civile” cënon rëndë parimet kushtetuese, duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Gjatë kësaj periudhe, këto gjykata kanë pezulluar edhe çështjet që kanë në shqyrtim deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehej në lidhje me elementin e kombësisë.