Mitrovicë – “Nuk lëviz nga shtëpia ime dhe nga vendi im”, thotë i vendosur shqiptari Tahir Kelmendi në fshatin Kelmend të komunës së Zveçanit, i cili bashkë me familjen jeton jo larg njërës prej barrikadave të serbëve që kanë bllokuar rrugët në veriun e Kosovës.
Kjo familje, anëtarët e së cilës nuk kanë lëvizur asnjëherë nga shtëpia e tyre edhe pse po u bllokohet rruga, është vizituar sot nga zyrtarë të komunës së Mitrovicës, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i shoqëruar nga Kushtrim Shyti, shef i kabinetit të kryetarit të komunës, të cilët janë interesuar për problemet e saj.
Drejtori Bala ka shprehur respektin për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët përkundër shqetësimeve për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre nuk janë zhvendosur prej atje. Ai tha se pushteti lokal, në bashkëpunim me atë qendror, do të ofrojnë gjithë mbështetjen për të dhe gjithë qytetarët që jetojnë në veri.
Ai ka vlerësuar qëndrimin e qytetarëve të veriut, të cilët, ashtu si gjithë vitet e pasluftës edhe këto ditë, kanë treguar një nivel të lartë të përgjegjësisë. “Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të dalë në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”, tha Bala.
Ai theksoi se bllokadat e rrugëve, sikur ajo që është ngritur në afërsi të rrugës që lidh fshatrat e banuara me shqiptarë, Kelmend, Boletin dhe Zhazhë, ka krijuar probleme për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri. “Me probleme të tilla ballafaqohen që rreth dy muaj shqiptarët që jetojnë në tre fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviçit”, tregon Bala.
Ndërsa Tahir Kelmendi falënderoi zyrtarët komunalë për vizitën dhe bëri të ditur se ai nuk ka kurrfarë nevoje për kurrfarë ndihme, përveç rregullimit të një distance të shkurtër të rrugës që e lidh me fshatin Boletin, të cilën e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga në Rudare.
Kelmendi tregoi se kur nuk ka probleme vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare. “Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por pos ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telash të madh. Tash e kanë bllokuar rrugën dhe s’mundemi të lëvizim andej”, tha ai.
Kelmendi tregon se nuk ka fqinj shqiptarë afër, por thotë se nuk ka menduar kurrë që të largohet nga shtëpia e tij. “Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk kam ndërmend të lëviz. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”, shprehet kryefamiljari i familjes shqiptare që jeton afër barrikadës serbe, duke treguar historinë e shtëpisë së tij.
“E kam ndërtuar në vitin 1981, atëherë kur rrethanat kanë qenë të rënda. Edhe atëherë kam pasur pengesa nga serbët, të cilët kundërshtonin ndërtimin e shtëpisë sime në këtë vend, në tokën time, pronën time”, thotë ai.
Kelmendi tregon se në luftë serbët ia kishin vrarë një vëlla, ndërsa një problem tjetër me të cilin është ballafaquar gjatë gjithë jetës është një djalë i tij, të cilin ia kishin verbuar në të dy sytë në kohën kur ishte ushtar në ish-ushtrinë jugosllave. “Ka qenë një tronditje e madhe për të dhe për ne. Ka shkuar i shëndoshë dhe është kthyer i verbër”.
Sunday, 18 September 2011 18:10