Kumanovë – Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut – dega në Maqedoni, ka alarmuar se brenda këtyre ditëve do të hyjnë në grevë urie. Kjo me arsye se pushteti ligjdhënës nuk i respekton dhe nuk e ka ngritur vetëdijen dhe shkallën e civilizimit, por përkundrazi, “bën shkelje drastike në drejtim të Lirisë dhe të drejtave të njeriut te shqiptarët”.
”Forumi ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni kërkon lirimin e menjëhershëm të të burgosurve të Sopotit, Brodecit, Kumanovës, Gostivarit, Shkupit, Manastirit dhe të gjithë të burgosurve të pafajshëm që po mbahen në kazamatet e burgjeve të Maqedonisë si dhe të ndërpriten bastisjet e shtëpive të shqiptarëve dhe maltretimet me pretekst më banal që bëhen nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përndryshe ju garantojmë se në bazë të kësaj politike që po manifestohet heshturazi mund të përsëritet viti 2001, andaj tërheqim vërejtjen çka besojmë se ketë askush nuk e dëshiron, por dhuna e sjell dhunën. Këtë duhet ta dijë çdokush”, thuhet në reagim, duke apeluar te qeveria e Gruevskit qw të respektojw parimet ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut me çka do tw përfillet qëllimi i kësaj greve përndryshe mund të ndodh që qeveria mund të ketë pasoja më të mëdha.
”Kjo qeveri me metodat e vjetra bolshevike vazhdon të bëjë diskriminime por edhe krime të heshtura ndaj popullatës shqiptare, siç është rasti i Sopotit, Vaksincës, Brodecit, Gostivarit, Shkupit, Kumanovës, Manastirit ku në shënjestër janë edhe fshatrat e Kumanovës, Likovës, Brezës dhe Tanushës. Sistemi juridik dhe qeveritar nuk e ndalë, por po vazhdon me metodat të ndryshme e të vjetra të cilët po vazhdojnë të shkelin dhe nëpërkëmbin autoritetin e njeriut”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate të nënshkruar nga kryetari i saj Idriz Sinani ku dhe në Kumanovë mbajti konferencë për gazetarë.
Sipas tij, Maqedonia në vitet 1995 edhe pse e nënshkroi protokollin në Kombet e Bashkuara për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në këshillin e Evropës ku garantohen 10 pikat e të Drejtave të Njeriut, ajo aspak nuk po respekton ata siç janë, e drejta në jetë, ndalimi i torturës, ndalimi i robërisë, të drejtën për gjykim korrekt, të drejtën për respektimin e jetës private, ndalimin e diskriminimit, mbrojtjen e pronësisë, të drejtën për arsim, të drejtën për lëvizjen e lirë, etj. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 September 2011 17:15