Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto u nis sot për në SHBA, për të marrë pjesë në Sesionin e 66 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në përbërje të delegacionit të kryesuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Gjatë punimeve të Sesionit të 66 të Asamblesë së Përgjithshme, kryediplomati shqiptar do të zhvillojë një sërë takimesh të nivelit të lartë, si dhe do të marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme, si Forumi i Parë i Investimeve Shqipëri-SHBA.
Ministri Haxhinasto do të kryesojë, gjithashtu, Takimin e Kartës së Adriatikut, me përfaqësues të lartë nga vendet e Rajonit dhe SHBA. Fokusi kryesor, i takimeve dhe aktiviteteve në kuadër të punimeve të Sesionit të 66 të OKB-së, do të jetë kryesisht forcimi i bashkëpunimit të Shqipërisë me këtë Organizatë dhe reforma e saj; pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në veprimtaritë e OKB-se në fushën e sigurisë dhe paqes, në atë të çarmatimit, në çështjet social-ekonomike, të së drejtës ndërkombëtare si dhe të të drejtave të njeriut.
Një vëmendje të veçantë, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, do t’i kushtohet Kosovës dhe lobingut për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të saj.
Sunday, 18 September 2011 15:07