Ndërsa socialsitet kanë vënë si kusht të parë për votën e tyre në Kuvend kthimin mbrapsht të të gjitha ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, ata në të njëjtën kohë po dëshmohen për kthimin e votës së fshehtë për gjyqtarët.
Ishte mazhoranca pa mbështetjen e opozitës ajo që solli rregulloren e Kuvendit të Shqiperise në këtë standard sipas saj të njëjtë me atë të kongresit amerikan. Ndërkaq një grup deputetësh pritet të vizitojë Kongresin Amerikan, për të parë nga afër funksionimin e procedurave, transaprencën e tyre dhe të vlerësojnë nga afër rëndësinë që ka vota e hapur në të gjithë jetën legjislative.
Kjo ishte fryma e takimit qe kryeparlamentarja Topalli pati me në Capitol Hill nga stafi i ngushtë i Kryetarit të Kongresit Amerikan Xhon Bener, me të cilin pati një bisedë të shkurtër gjatë punimeve të Forumit Parlamentar për Demokraci.
“Jo se nuk e dija, jo më kot i kërkova atyre dhe unë jam shumë e kënaqur që ato treguan gatishmërinë për të sjellë një grup deputetësh nga mazhoranca dhe opozita për të bërë një vizitë në Kongresin amerikan, për të parë ato vetë se si votohen gjykatësit. Në Kongresin amerikan mbizotëron parimi i transparencës, në Kongresin amerikan nuk imagjinohet që të votohet në mënyrë të fshehtë, sepse deputeti duhet të tregojë përgjegjësi përballë qytetarëve që e kanë zgjedhur.
A ruan ai qëndrimin që duan ato qytetarë që e kanë zgjedhur apo jo dhe në këtë kuptim jo vetëm që gjykatësit zgjidhen në mënyrë të hapur dhe transparente dhe kurrë me votë të fshehtë. Edhe kryetarja e Parlamentit zgjidhet me votë nominale dhe nëse kemi bërë ne një ndryshim, ai është një ndryshim që ka çuar në një standard më të lartë, qoftë për emërimin në mënyrë transparente pa asnjë hije, ashtu siç bëhet në Senatin amerikan, qoftë për faktit që çështjet jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më prioritare se kalendari dhe axhenda e reformave që i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Kjo u theksua nga zonja Topalli gjatë intervistës që dha për Zërin e Amerikës, teksa u pyet për ndryshimet në rregulloren që socialistët kanë kërkuar ajo u shpreh se:
“Dua të them se mazhoranca është gjithmonë e hapur për të diskutuar nëse është puna për të përsosur standardet. E them këtë, ne duhet të jemi njerëz që duhet të themi të vërtetën, Rregullorja e Kuvendit është një rregullore, e cila është bërë me konsensusin e të dy palëve. Pas vitit 2009 ka pasur dy pika që janë ndryshuar, e para ka lidhje me dekretet për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, që nga një votim i mbyllur sekret i fshehur është bërë një votim transparent i hapur ashtu siç ndodh në vendin tuaj.
Dhe e dyta, ka qenë që pikat jashtë rendit të ditës të kalojnë në fund të rendit të ditës, nuk mund të jenë pikat që janë jashtë rendit të ditës përpara çdo çështjeje, që është në rendin e ditës, nuk ka as sens, nuk është as racionale, nuk ndodh në asnjë vend, as në Bashkimin Europian, aq më pak në vendin tuaj.”
Saturday, 17 September 2011 17:05 