Tiranë – Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, përshëndeti të shtunën vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi ligjin e gjendjes civile për kombësinë.
“Një vendim të tillë, për ta konsideruar ndërrimin e kombësisë si një akt antikushtetues, e ka ndërmarrë dhe Gjykata Kushtetuese franceze, në një çështje të ngjashme me këtë. Në funksion të kësaj theksoj se fqinjët e Shqipërisë të jenë aq seriozë sa të mos i kërkojnë shqiptarëve ato akte që ata vetë i kanë konsideruar antikushtetues. Dhe vetë Greqia e konsideron antikushtetues aktin e ndërrimit të kombësisë”, u shpreh kryetari i PLD-së në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, kjo është një ndërmarrje e rëndë antikombëtare e një qeverie që shumë shpejt do të përballet me popullin e saj.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje ligjin “për gjendjen civile”, që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj.
Saturday, 17 September 2011 14:59