Shkup – Organizatat joqeveritare shqiptare po shqyrtojnë mundësinë që më 11 dhe 12 janar të vitit 2012 të organizojnë miting masiv për shënimin e 20-vjetorit të referendumit për Autonomi Politiko – Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, apo i njohur si Referendumi për Iliridën.
Ideja këtyre ditëve pritet të vlerësohet edhe nga organizatat joqeveritare por edhe nga partitë politike shqiptare. Iniciativa vjen nga një grup studentësh, të cilët do t’i nxisin organizatat joqeveritare shqiptare për të mbajtur tubimin masiv në Shkup. Studentët kanë thënë se ky manifestim masiv, sipas tyre, “duhet të jetë një kundërpërgjigje për mitingun masiv të VMRO-DPMNE nën ombrellën qeveritare, që ishte njëetnik dhe që u keqpërdor për përfitime politike dhe nacionaliste”.
Sipas tyre, është nevoja që të festohet diçka që u takon, “që ky popull ka deklaruar dhe nuk duhet të heshtet”. “Ishte referendum popullor dhe jemi krenarë, si shqiptarë, që baballarët tanë paskan bërë diçka në këtë vend tonin. Ne duhet ta rikujtojmë këtë sepse është pjesë e historisë sonë kombëtare”, kanë thënë disa aktivistë.
Ndryshe, referendumi për Autonominë Politiko- Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni apo Ilirida u mbajt si kundërpërgjigje ndaj Referendumit për Maqedoninë së mëvetësuar, i cili u bojkotua atëkohë nga shqiptarët, për shkak të kushtetutës që ishte në disfavor dhe diskriminuese për shqiptarët. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 September 2011 13:47