Lajme Shqip Saturday, 17 September 2011 10:10

Tetovë – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pasditen e së premtes ka realizuar takim me Mariet Shurman, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni. Ahmeti ka shprehur mirëseardhje për ambasadoren e re Mariet Shurman, e cila vjen në vendin e Simone Filipinit, duke e përgëzuar për detyrën e re dhe duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis BDI-së dhe Mbretërisë së Holandës.

“Ahmeti dhe Shurman kanë diskutuar për çështje të ndryshme të ndërlidhura me zhvillimet politike dhe shoqërore në vend dhe rajon, përfshirë edhe çështjen e emrit, urgjencën për integrim të Maqedonisë në NATO dhe marrjes së datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian dhe reformat në administratën publike”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Duke diskutuar çështjen e emrit, Ahmeti ka thënë se BDI angazhohet për zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit, sepse ajo mundëson integrim të menjëhershëm në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht ndikon pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka theksuar rëndësinë që ka integrimi i Maqedonisë në NATO për të gjithë qytetarët si dhe për rajonin. “Anëtarësimi në aleancën veri-atlantike mundëson stabilitet të qëndrueshëm dhe siguri për vendin dhe rajonin, duke përfshirë edhe prosperitet ekonomik nëpërmjet thithjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta”, thuhet në kumtesën e BDI-së së Ahmetit. (LajmeShqip.com)