Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 20:32

Prishtinë – Në Prizren është hapur sot qendra e parë rajonale për trashëgimi kulturore në Ballkan.

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë bëri të ditur se qendra e parë për trashëgimi kulturore në Ballkan është përuruar në ndërtesën Beledije në Prizren. Qendra e rinovuar me fonde të BE-së, do të ofroj trajnime të akredituara në fushën e trashëgimisë kulturore, për të gjithë personat e interesuar në gjithë rajonin, në përputhshmëri me standardet e BE-së.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë, Këshillit të Evropës dhe  Ministrisë së Kulturës, si dhe homologë nga rajoni.

Christof Stock, Drejtor i Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë deklaroi se “Unioni Evropian i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, ndaj do të përkrahë Kosovën në realizimin e kësaj vlere evropiane. Ky investim do të ofroj arsimim dhe mundësi trajnimi për profesionistët në mbarë Kosovën dhe rajonin, si dhe do të krijoj shumë mundësi punësimi”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se krijimi i një qendre me karakter evropian është një sfidë ambicioze, por qëndrojmë të bindur se kjo korrespondon me nevojat e profesionistëve dhe praktikantëve që janë të përbashkëta në të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor. Ky projekt është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Prizrenin në veçanti dhe shpresojmë që do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, tha ai.

Ndërsa, Memli Krasniqi, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, deklaroi se “Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të pasura me trashëgimi kulturore, andaj ne besojmë se Beledija do të shërbejë si një shtytës shumë i rëndësishëm për ngritjen e vetëdijes së përgjithshme rreth trashëgimisë kulturore në vendet tona si dhe ngritjen e aftësive në menaxhimin, ruajtjen dhe promovimin e saj”.