Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 18:56

Nju-Jork – Skandal nuk ka bërë dje vetëm ambasadori rus në Beograd. Edhe ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Churkin, ka shpërthyer mbrëmë nga inati, por ky në selinë e Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, kur e ka zbrazur mllefin ndaj ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Videoja pasqyron qartë momentin kur ambasadori Churkin i thotë me zemërim ministrit Hoxhaj, derisa ky i fundit përgjigjej për gazetarë. “Ju nuk jeni i autorizuar të flisni në këtë sallë, ju nuk keni asnjë të drejtë të flisni këtu…”.

Kurse, ministri Hoxhaj i thotë butësisht: “Okay, atëherë ju mund ta pyesni UNMIK-un, ta pyesni të vijë këtu…”, ndërkohë që ambasadori rus vazhdon të ndërhyjë, e ministri Hoxhaj i përgjigjet përsëri: “Okay, okay, atëherë lermë të mbaroj këtu, ta mbaroj deklarimin tim. Unë nuk mendoj ashtu”.

Ndërsa, fustrimi i Vitali Churkinit përshkallëzohet, kur ia kthen Hoxhajt me fjalët ofenduese: “Ti jo se nuk mendon por nuk din!”.

Ndërkohë, ministri kosovar, duke e injoruar ambasadorin rus, vazhdon me përgjigjet për gazetarët.

Kurse, në momentin kur një gazetar e pyet ministrin kosovar se çfarë mendon për reagimin e ambasadorit rus, Vitali Churkin, ky ia kthen: “Askush nuk mund ta ndalë historinë, Kosova është shtet dhe kufiri në veri do të jetë çdoherë kufi me Serbinë”.

Ambasadori rus duket të jetë nevrikosur më shumë nga fakti se i është dashur të presë në prani të gazetarëve, derisa ministri kosovar ta përfundojë konferencën. (LajmeShqip.com)