Tiranë – AMC fiton zyrtarisht garën për autorizimin e dytë individual të teknologjisë 3G. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) formalizoi si fituese ofertën prej 15.1 milionë eurosh të kompanisë pjesë e grupit Deutsche Telecom. Teknologjia e gjeneratës së tretë 3G ofron një kapacitet më të lartë të transmetimit të të dhënave krahasuar me teknologjinë e zakonshme 2G apo GSM.
Kjo mundëson ofrimin e internetit me shpejtësi më të madhe përmes rrjetit celular, apo edhe shërbime të reja, si video-thirrjet.
Që nga vjeshta e kaluar, shërbimet 3G në Shqipëri ofroheshin vetëm nga operatori Vodafone Albania, që fitoi garën për licencën e parë me një ofertë prej 31.4 milionë eurosh.
Megjithëse sot u dha zyrtarisht një licencë e dytë, operatorët celularë vazhdojnë të kundërshtojnë rrugën e zgjedhur nga qeveria, për hapje të përshkallëzuar të tregut. Me një deklaratë zyrtare, drejtori i përgjithshëm i Plus Communication, Moni Buchnik, tha se një licencë e dytë nuk e lufton monopolin, por thellon problematikën, duke e vënë tregun në një pozitë po aq të dëmshme siç është oligopoli, si dhe duke vënë në pozitë diskriminuese operatorët e tjerë.
Plus i kërkon autoriteteve që licensat e tjera 3G të jepen në një kohë sa më të shkurtër dhe paralel për të dy operatorët e tjerë celularë me një çmim të arsyeshëm, me qëllim liberalizmin e plotë të tregut. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 September 2011 16:30