Tetovë – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur sot në Tetovë ambasadorin Ralph Breth, përfaqësues i OSBE në Shkup.
Ahmeti dhe Ambasadori Breth kanë diskutuar rreth formimit të qeverisë së re, 10-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, lirisë së mediave, regjistrimit të popullsisë, strategjisë së OSBE për arsim të integruar në Maqedoni dhe çështje tjera të interesit të përbashkët.
“Ambasadori Breth shprehu mirënjohje për faktin që shqiptarët në Maqedoni për herë të parë menaxhojnë me Sekretariatin për Integrime Evropiane si dhe Ministrinë e Mbrojtjes, që interpretohet si sinjal pozitiv dhe që mundëson stabilitet të përgjithshëm politik.
Breth, gjithashtu, u shpreh i kënaqur me manifestimit e organizuara për të shënuar 10-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shprehu interes rreth proceseve gjyqësore, lustrimit, çështjes së emrit dhe situatës me mediat në vend”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Kryetari Ahmeti ka vlerësuar Ambasadorin Breth si njohës të mirë të rrethanave shoqërore në Maqedoni dhe njëkohësisht njohtoi mysafirin për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë edhe funksionimin e mirë të koalicionit qeverisës, shënimin e përvjetorit të 10-të të Marrëveshjes së Ohrit, regjistrimin e popullsisë, si dhe përcaktimin strategjik të BDI-së për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe integrim sa më të shpejtë në NATO dhe BE. E ardhmja e Maqedonisë në NATO dhe BE është investim i përbashkët i qytetarëve të Maqedonisë dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe bashkarisht duhet të përkujdesemi për suksesin e shpejtë të këtij rrugëtimi.
“Ahmeti shprehu përkrahjen e plotë të subjektit politik për pavarësinë medieve, duke theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë e ushtrimit të gazetarisë së lirë dhe të paanshme bashkë me mundësimin e kushteve të nevojshme për të raportuar lirshëm. Sa i përket strategjisë për arsim të integruar, kryetari Ahmeti apeloi për përfshirje të të gjitha paleve, përfshirë prinderit, pedagogë, arsimtarët dhe ekspert të arsimit në jetësimin e strategjisë që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët. Strategjia integruese duhet të shërbejë si shembull për tolerancë dhe përafrim të komuniteteve duke shtrirë dorën e bashkëpunimit. Në lidhje me regjistrimin e popullësisë, Ahmeti ftoi të gjitha palët për përkrahje dhe pjesëmarrje duke shprehur bindjen që proçesi do të kryhet me sukses dhe që institucionet e vendit kanë kapacitet për ta realizuar këtë proekt të rëndësishëm”, thuhet në komunikatë.
Ahmeti gjithashtu shprehu shqetësimet e veta dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim në lidhje me zhvillimet në rafshin e sigurisë në Kosovë duke rikujtuar që çdo përpjekje për destabilizim të Kosovës për Bashkimin Demokratik për Integrim është e papranueshme për arsye të pasojave të rënda për të gjithë rajonin. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 September 2011 16:13