Tiranë – Një orë pasi kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi ofroi zyrtarisht bashkëpunim me opozitën për reformën zgjedhore ka ardhur përgjigjja e PS-së, por si fillim jo për kodin elektoral, por rregullimin e funksionimin të Parlamentit.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të formalizojë të hënën kërkesën drejtuar maxhorancës për t’i hapur rrugën reformës parlamentare, bëri të ditur për mediat deputeti socialist, Ditmir Bushati.
Gjatë një konference për shtyp, deputeti Bushati tha se “kjo reformë do të kalojë në dy faza: faza e parë do të prezantohet të hënën dhe ka të bëjë esencialisht me ndryshimin e rregullores dhe sjelljen e saj aty ku ka qënë, në vitin 2009, me qëllim evitimin e të gjitha atyre ndryshimeve të njëanshme që kanë asfiksuar rolin e opozitës në Kuvend dhe që e bëjnë menaxhimin e jetës parlamentare larg standardeve të BE-së”.
Bushati tha se përmes propozimit tonë ne synojmë që në parlament të rikthehet vota e fshehtë dhe të garantohet transparenca. Si hap të dytë PS propozon adresimin e të gjitha mangësive të vërejtura në raportin analitik të KE-së, përmes një grupi pune të përbashkët dhe i asistuar nga OSBE.
Friday, 16 September 2011 15:08