Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 14:56

Tiranë – Gjykata e Lartë caktoi tre ekspertët që do të bëjnë verifikimin e video-përgjimit ndaj ish zv/kryeministrit Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar të premten 16 shtator, kjo Gjykatë caktoi pedagogët e informatikës dhe elektronikës, perkatesisht  Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri për të bërë ekspertimin e video-përgjimit ndaj Metës.

Fillimisht, si pjesë të grupit të eksperteve u caktua pedagogu Dritan Zoto, por pas kundërshtimit të prokurorit të çështjes, Gjykata vendosi zëvendësimin e tij me ekspertin Artur Rrahmanin.

Kundërshtimi i prokurorit kishte të bënte me faktin se eksperti Zoto ishte shprehur në media për çështjen.

Në seancë, Gjykata rrëzoi kërkesat si të prokurorisë, ashtu edhe të palës mbrojtëse për të përfshirë në grupin e ekspertizes,  dy ekspertë të huaj.

Disa seanca me parë, Gjykata e Larte vendosi ribërjen e ekspertimit të videopërgjimit ndaj Metës pasi shpalli të pavlefshëm akt-ekspertimin e  kryer nga dy ekspertët të huaj, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ish -zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media të një video,  ku ai shfaqej me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.