Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 12:51

Partia Demokratike caktoi Oerd Bylykbashin dhe Viktor Gumin, si negociatorë për të eksploruar dhe shyrtuar me opozitën modalitetet e ngritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, iu drejtua sot me një letër homologut të tij, Gramoz Ruçi, ku e njoftonte zyrtarisht për vendimin.

Në letrën e tij, vlerësohej se “një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”.

Sic dihet, Partia Socialiste kishte emëruar Damian Gjiknurin dhe Vasilika Hysin, si të ngarkuar për të nisur kontatet me përfaqësuesit e mazhorancës për reformën zgjedhore.

Por bashkë me emrat e të ngarkuarve nga Partia Demokratike, Patozi i kërkon Rucit që të dy palët t’i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës. Kreu i grupit të PD shkruan se “do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij”.

“Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë cështje”, mbyllet letra e Patozit.