Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi dje në mbrëmje në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua në Neë York, se “askush nuk mund të ndalë historinë, Kosova është shtet dhe kufiri në veri do të jetë çdoherë kufi me Serbinë”.
Duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Hoxhaj tha se “Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë e pranishme në seanca, kur do të jetë nevoja, për të shpjeguar në detaje progresin e realizuar dhe stabilitetin e arritur në Ballkan, që prej kur Kosova është bërë shtet i pavarur, tri vite më parë”.
Hoxhaj u shpreh se “opinioni publik botëror është dëshmitar i një fushate shumë të rrezikshme dhe provokuese nga Republika e Serbisë, që ka për qëllim të krijojë një atmosferë frike dhe mosbesimi në veriun e Kosovës”.
“Sërish, po dëgjojmë nga përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë se si Kosova është duke ndërhyrë në mënyrë të dhunshme dhe të njëanshme në veriun e vendit, të banuar nga serbët e Kosovës”, theksoi Hoxha, duke shtuar se ata të cilët vërtet kërcënohen janë serbët e Kosovës, që kanë guximin për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.
Ai tha se “ne e dimë që ata jetojnë në terror nga bandat e identifikuara nga EULEX-i dhe UNMIK-u në shumë raste. Këta janë njerëzit që fitojnë para prej kontrabandës së naftës, armëve dhe transferimit nga Beogradi, përmes strukturave paralele ilegale të sigurisë, policisë dhe paramilitare. Këto struktura udhëhiqen, kontrollohen dhe financohen nga Beogradi”.
Hoxhaj bëri thirrje që të shpërbëhen strukturat ilegale dhe kriminale serbe dhe të ndalet dhuna në veri.
Duke folur për menaxhimin e kufijve, ministri Hoxhaj tha se “Kosova është shtet i pavarur dhe menaxhimi i kufijve është kompetencë e qeverisë qendrore, ashtu si kudo tjetër në botë”.
“Kufiri ynë verior do të jetë ashtu si kufijtë e tjerë në Ballkan dhe do të mbetet gjithmonë një kufi shtetëror ndërmjet dy shteteve të pavarura. Në të njëjtën kohë, ne jemi shumë të përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik, marrëdhënieve të mira dhe të hapura tregtare dhe komunikimit me të gjitha shtetet e rajonit”, vijoi ai.
Në këtë seancë të KS të OKB-së, ministri Hoxhaj po ashtu ka folur për marrëveshjen që është arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë për vulat doganore.
Meqë dy delegacionet ranë dakord për dizajnin e vulave, ka thënë ai, është logjike që vetëm zyrtarët kosovarë, që mbajnë ato vula me vete do të vazhdojnë të punojnë në pikat 1 dhe 31.
Ministri Hoxhaj theksoi se “Kosova dhe Serbia kanë për obligim për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe të fillojmë marrëdhëniet normale tregtare duke përdorur dy pikat kufitare”.
Ai u shpreh i bindur se, “Kosova do të punojë me KFOR-in dhe EULEX-in për t’u siguruar se ajo për të cilën kemi rënë dakord së bashku në Bruksel do të zbatohet. Kryediplomati i Kosovës është zotuar se “do të punojmë me ICO-në, OSBE-në dhe Kombet e Bashkuara për të mundësuar krijimin e institucioneve të lira dhe demokratike në veri”.
Friday, 16 September 2011 11:47