Kopenhagë – Liderja e Partisë Socialiste daneze Hele Torning-Shmith dje doli me fitore historike në krye të koalicionit të majtë të Bllokut të Kuq dhe po përgatitet të bëhet gruaja e parë kryeministre në historinë e Danimarkës.
“Akoma nuk jam kryeministre, por ne kemi shumicë dhe kjo është fantastike”, deklaroi ajo duke dalë nga shtëpia e saj, e shoqëruar nga bashkëshorti Stiven Kinok, djalë i ish liderit të laburistëve britanikë Nil Kinok.
Nga numërimi i 99 për qind të votave në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Danimarkë opozita e majtë fitoi 89 mandate të deputetëve, ndërsa koalicioni qeveritar i quajtur Blloku i kaltër, do të ketë 86. Ky rezultat zgjedhor i jep fund udhëheqjes dhjetëvjeçare të qeverive centriste të djathta në vendin verior.
Hele Torning-Shmith do ta marrë funksionin e kryeministres nga kryeministri i deritanishëm Lars Loke Rasmusen, i cili e pranoi dështimin dhe deklaroi se sot do ta dorëzojë dorëheqjen para mbretëreshës Margareta e dytë.
Friday, 16 September 2011 10:02