Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 19:18

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e sapokthyer sot nga vizita treditore shtetërore në Hungari, priti në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçin, i cili e informoi për planin operacional të Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e pikave doganore në kufirin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Nga Presidenca kosovare, bëhet e ditur se, Presidentja e Kosovës, në kuadër të funksioneve të veta kushtetuese, i dha mbështetje të plotë planit të Qeverisë së Kosovës për implementimin e vendimit qeveritar për Marrëdhëniet Tregtare me Serbinë, që është plotësisht i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe që është rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që u ndërmjetësua dhe miratua nga BE-ja.

“Vënia në funksion e doganave është veprim legal dhe legjitim i mbështetur nga faktori ndërkombëtar dhe nga misioni i KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë, të cilët do të japin mbështetjen dhe ndihmën e plotë, në kuadër të mandatit të tyre, në zbatimin e rendit dhe të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.