Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 19:15

Tiranë – Minatorët e Bulqizës kanë vijuar edhe sot protestën e tyre, e cila ka vijuar qetësisht përpara zyrave të kompanisë Albanian Crom “ACR”.

Përfaqësia e minatorëve, u shpreh e vendosur për vijimësinë e kësaj nisme. “Ne do të vazhdojmë këtë grevë deri në realizimin e të gjitha kërkesave tona”, theksuan ata.

Përfaqësia e minatorëve, ka sqaruar sot, se situata vazhdon të mbetet e bllokuar si pasojë e refuzimit nga ana e kompanisë austriake, për largimin nga detyra të drejtorit të ACR, si dhe pagesa e dëmshpërblimit për ditët kur minatorët kanë qenë në protestë.

Nga ana tjetër ACR, i bëri sot thirrje të gjithë punonjësve që t’i kthehen normalitetit e të mos bien pre e fjalëve të pavërteta që qarkullojnë persona jashtë kompanisë.

ACR rikujton me anë të një deklarate për shtyp se, i ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve që kanë të bëjnë me rritjen e pagës, fillimin e investimeve që do të përmirësojnë kushtet e punës si edhe realizimin e këtyre investimeve duke informuar edhe minatorët. ACR ka ofruar zgjidhje financiare edhe për ditët e grevës së paligjshme për t’u ardhur në ndihmë minatorëve në situatën e vështirë financiare në të cilën ndodhen.

Sipas ACR-së, “rifillimi i punës në minierë mbahet peng e një kërkese absurde për shkarkimin e administratorit. Kjo kërkesë është jashtë kompetencave të punës së minatorëve dhe kompania ACR e ka përsëritur disa herë që nuk do konsiderohet. Pavarësisht qëndrimit të qartë të kompanisë Kol Nikolla vazhdon të mbajë minatorët larg punës duke u marrë me këtë kërkesë absurde”.

“ACR i kujton minatorëve që një gjë të tillë ai e ka bërë edhe më parë, sa herë kompania plotëson kërkesat e minatorëve ka dalë me kërkesa të reja e gjithmonë e më absurde. Duket qartë që qëllimi i Kol Nikollës nuk është për të mbrojtur interesat e minatorëve, por thjesht për të plotësuar planin e tij duke i mbajtur përherë minatorët pa punë jashtë minierës”, thuhet në deklaratë.

“ACR është e detyruar t’i kthehet herë pas here kësaj tematike pasi nuk do që minatorët të mbahen peng të dëshirave të një personi të papërgjegjshëm si Kol Nikolla. Duke i njoftuar edhe njëherë minatorët me vendimet e ACR, shpresohet që të mos mashtrohen e të presin realizimin e ëndrrave të disa personave duke abuzuar e përdorur minatorët e ACR”, përfundon deklarata e ACR-së.