Shkup – Propozimi i qeverisë për shpërndarje të mjeteve buxhetore ka shkaktuar debat të ashpër në Komisionin e Financave në Parlamentin e Maqedonisë. Më të zëshëm edhe kësaj radhe kanë qenë deputetët e opozitës maqedonase, por nuk kanë munguar as zërat e opozitës shqiptare. PDSH dhe RDK, kanë kundërshtuar ashpër shpërndarjen e mjeteve buxhetore pasi që, sipas tyre, “qeveria po bën diskriminim në baza etnike”.
Ndërkohë, zëvendësministri i Financave Nedim Ramizi në elaborimin e tij ka thënë se bëhet fjalë për mjete buxhetore në shumë prej 40 milionë eurove të cilat do t’u merren institucioneve tjera që nuk i kanë shfrytëzuar që më pas do të shpërndahen nëpër institucione tjera.
Sipas tij edhe më tej është në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e punësimeve të reja përveç atyre që kanë të bëjnë me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, deputeti PDSH-së Zijadin Sela në fjalimin e tij ka kundërshtuar propozimet e fundit të qeverisë, sipas të cilave mjete buxhetore u shkurtohen kryesisht ministrive me të cilat udhëheqin shqiptarët.
“Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit i shkurtohen rreth 2 milionë euro , mjete të dedikuara për punësime të reja. Me këta dy milonë mund të bëhen 3 mijë punësime, çfarë do të thotë kjo tani… a do të ndërpriten punësimet e bashkësive etnike në bazë të marrëveshjes së Ohrit. Mjete nga buxheti gjithashtu shkurtohen edhe nga Sekretariati për çështje evropiane, nuk e kam të qartë se si prioriteti numër një i kësaj qeverie integrimin në strukturat euroatlantike do të mund të realizohet me shkurtimin e mjeteve financiare”, ka theksuar deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela.
Edhe partia tjetër opozitare, RDK, ka kundërshtuar ashpër shpërndarjen e mjeteve buxhetore. Sipas deputetit të kësaj partie Izet Zeqiri , qeveria po bën diskriminim në baza etnike duke shkurtuar mjetet buxhetore të institucioneve me të cilat kryesisht udhëheqin shqiptarët.
“Me shpërndarjen e këtyre mjeteve ministrisë së Ekonomisë i merren 3 milionë denarë, asaj të Ambientit dhe planifikimit hapësinorë 348 milionë denarë, pushtetit lokal 54 milionë denarë Ministrisë së Mbrojtjes 2 milionë denarë , Sekretariatit për implementimin e MO-së, 120 milionë denarë. Sipas kësaj shpërndarje ministrat e BDI-së do të kenë në dispozicion vetëm 5 për qind nga buxheti i përgjithshëm i Maqedonisë”, ka thënë deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri, sipas të cilit zvogëlim të mjeteve do të ketë edhe për USHT-në, Bibliotekën e Tetovës dhe muzeun e Alfabetit. Deputeti i LSDM-së, Igor Ivanovski në fjalimin e tij ka kundërshtuar ashpër propozimin e qeverisë për shpërndarjen e mjeteve buxhetore, pasi që, sipas tij, Qeveria e Maqedonisë, po vazhdon në mënyrë kriminele t’i harxhon paratë e qytetarëve të Maqedonisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 September 2011 18:36