Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 17:13

Prishtinë – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ende nuk ka marrë asnjë vendim nëse bankat në Kosovë kanë marrëveshje të fshehtë ndërmjet tyre për nivelin e lartë të interesit në kredi. Bankat komerciale në Kosovë zbatojnë kamatat më të larta kreditore në rajon, që përafërsisht janë të njëjta në të gjitha bankat, rreth 14.6 për qind, nga 14.4 sa ishin në vitin e kaluar.

Udhëheqësi i Autoritetit kosovar të konkurrencës, Osman Ejupi, tha se kanë bërë analizë të tregut bankar, duke tentuar të gjejnë nëse ka marrëveshje për ndarje tregu dhe fiksim kamatash.

“Nuk është e rëndësishme ne të gjejmë marrëveshje të shkruar. Për ne është me rëndësi është e rëndësishme që indikatorët ekonomikë të tregojnë se mes bankave ka marrëveshje të tipit “kartel”. Kamatat janë përafërsisht të ngjashme dhe kjo na bën që të hulumtojmë edhe më tutje dhe në momentin kur konstatojmë se ka marrëveshje në do të veprojmë konform ligjit në fuqi”, ka thënë ai.

Në nivelin e lartë të normave të interesit në kredi ndikojnë shumë faktorë, ndër to afati i gjatë i kthimit të kredive, rreziku në dhënien e kredive, pamundësia e marrjes së mjeteve nga bankat e huaja, por edhe niveli i ultë i konkurrencës, thotë kryetarja e shoqatës së bankave, Diturie Hoxha.

Guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, theksoi se ndër objektivat e këtij institucioni është edhe ruajtja dhe rritja e konkurrencës në treg. Sipas tij kamatat e larta vlerësohen si shumë tërheqëse për futjen e bankave tjera në tregun vendor.

Përfaqësuesit e bankave, por edhe asociacioneve të biznesit dhanë një mori arsyesh për normat e larta të interesit në kredi. Nga ana tjetër normat e interesit në depozita në Kosovë janë më të ulëtat në rajon, rreth 3.7 për qind.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si mekanizëm për ruajtjen e konkurrencës në treg, në bazë të dyshimeve për marrëveshje të fshehtë mes bankave, hulumtimin është duke e bërë viti i kaluar, por që ende mbetet në këtë nivel. (LajmeShqip.com)