Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 16:59

Prishtinë – Një ditë para nisjes së aksionit në veri për vendosjen e policëve dhe të doganierëve kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31, misioni ndërkombëtar i BE-së në Kosovë, EULEX, ka hartuar mënyrën e veprimit.

Komunikata në vijim e këtij misioni, paraqet pasqyrën se si do të veprojë EULEX-i, pas datës 16 shtator, në veri të Kosovës.

EULEX do të kryejë punët policore dhe doganore në portat 1 dhe 31 (Jarinje dhe Bërnjak). Kjo do të bëhet në përputhje me mandatin ekzekutiv që ka misioni.

Në fakt, kjo do të thotë që EULEX-i do të ndihmojë implementimin e marrëveshjes për vula doganore të arritur më 2 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Marrëveshja për vulat doganore ishte pjesa e fundit që mungonte për të lansuar një sistem të mirëfilltë doganor, të cilin ne edhe e synojmë.

Kosova, nën administrim të UNMIK-ut, që nga viti 2000 është bërë një zonë doganore, dhe është trajtuar nga BE-ja gjithmonë si e tillë.

Marrëveshja, e cila nuk ka të bëjë asgjë me statusin, është për të ndërmarrë një hap të madh përpara në sundimin e ligjit në Kosovë, e që është në interes të të gjithë qytetarëve. Mungesa e funksionimit të sistemit doganor në të gjithë territorin e Kosovës ka lejuar që aktivitetet ilegale të zhvillohen lirshëm, veçanërisht, por jo ekskluzivisht në veri të Kosovës. Tani do të kemi mundësi të merremi shumë më mirë me këtë çështje. Ky është një hap i rëndësishëm dhe të gjithë do jenë përfitues. Operacionet doganore në porta do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prezencë të doganierëve të Kosovës.

EULEX-i fton të gjithë qytetarët të përkrahin këto masa për të përmirësuar sundimin e ligjit për të gjithë.

Detajet e masave përfshijnë:

Pikëkalimi në Bërnjak do të jetë e hapur për trafik komercial dhe personal, si dhe për mallra komerciale dhe jokomerciale. Importet e mallrave komerciale nëpërmjet pikës në Bërnjakë duhet të zhdoganohen në Terminalin Doganor në jug të Mitrovicës.

Deri sa të instalohet infrastruktura e duhur në Jarinjë, ky pikëkalim do të jetë i hapur vetëm për mallra jokomerciale dhe trafik personal.

Të gjitha mallrat komerciale, që i nënshtrohen akcizës (si alkooli, cigaret dhe karburantet) duhet të zhdoganohen nëpër pikëkalimin e Merdares ose në ndonjë pikë tjetër, të autorizuar për trafik tregtar. (LajmeShqip.com)