Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 16:25

Tiranë – Mungesa e transparencës dhe praktikat jo të ndershme të bankave ndaj klientëve janë një problem për gjithë Ballkanin Perëndimor. Dejan Soskic, Guvernator i Bankës Qendrore të Serbisë, tha sot në Tiranë se Serbia ka miratuar një ligj të veçantë për mbrojtjen e konsumatorit në raport me institucionet financiare. Ai sugjeron që edhe Shqipëria mund të bëjë të njëjtën gjë.

“Mangësitë në transparencë dhe praktikat jo të ndershme midis bankave dhe konsumatorëve janë një problem për të gjitha vendet e rajonit. Banka Qendrore është institucioni që duhet të mbikëqyrë këto marrëdhënie dhe të punojë për ndërtimin e standardeve të duhura. Por, ndonjëherë kjo nuk është e mjaftueshme. Serbia ka mirauar një ligj të veçantë për mbrojtjen e konsumatorëve në raport me sistemin financiar, ligj që përputhet me direktivat e Bashkimit Europian. Duhet të kuptojmë se në afatin e gjatë, transparenca dhe praktikat e ndershme janë në interes të vetë bankave. Besimi i publikut është thelbësor për një sistem financiar. Ky besim ngrihet dhe forcohet pikërisht nëpërmjet transparencës dhe praktikave të ndershme ,” tha Soskic.

Duke folur për sfidat me të cilat përballen bankat e Rajonit, Soskic shprehet se kriza në sistemin monetar të Eurozonës mund të ndikojë negativisht te ato banka që janë mbështetur me financime afatshkurtra nga jashtë, sidomos nga bankat mëmë.

Për sa i takon normës në rritje të kredive me probleme, Guvernatori i Bankës Qendrore të Serbisë u shpreh se menaxhimi i situatës kërkon sistem efikas të ekzkeutimit të kolateralit, por edhe mirëkuptim mes bankave dhe klientëve. Sipas tij, zgjidhja shpesh duhet kërkuar te ristrukturimet e kredive, duke shtyrë afatet e maturitetit, për të mbajtur pagesa të rregullta të kësteve.