Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 15:17

Shkup – Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota kanë nënshkruar sot marrëveshje për rregullimin e trafikut hekurudhor.

Me këtë, kontrollet e dyfishta të udhëtarëve dhe mallrave do të evitohen më mënyrë që një ekip i përbashkët kontrollues nga të dyja palët do ta kryejë këtë detyrë. Ministri Janakieski ka thënë se marrëveshja do të ndikojë në shkurtimin e kohës së pritjes në kalimet kufitare.

“Të dy shtetet marrin detyrim për thjeshtësimin e procedurave doganore dhe pranimin e certifikatave që japin ata për sigurinë në trafikun hekurudhor. Do të ketë konkurrencë jodiskriminuese në aspekt të qasjes së lirë dhe pranimit të dokumenteve që dalin nga zbatimi i konventave ndërkombëtare me të cilat janë të detyruara dy vendet, dhe lehtësime të tjera të cilat do ta lehtësojnë dukshëm transportin e njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve”, ka thënë Janakievski.

Ndërkaq, ministri i Kosovës, Fehmi Mujota, tha se të dy ministritë kanë në plan të punojnë në fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit-Shkup.

“Kjo autostradë do të lidh dy korridore të rëndësishme korridorin 8 dhe korridorin 10, dhe do të mundësojë zhvillim të fuqishëm të rajonit dhe, mbi të gjitha, do të ketë interes për Kosovën dhe Maqedoninë”, ka thënë Mujota.

Sipas statistikave në bazë vjetore, nga linja hekurudhore  Shkup-Prishtinë transportohen 1 milion e 200 mijë tonë prodhime të ndryshme, ndërsa shfrytëzimi i kësaj linje është trefishuar. (LajmeShqip.com)