Skënderaj – Një person, rreth 60-vjeçar, besohet të ketë humbur jetën si rezultat i ngufatjes, gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin i cili kishte kapluar një fushë të hapur dhe zonën malore duke rrezikuar edhe përhapjen e zjarrit në shtëpinë e tij, në fshatin Kopiliq i Ulët të Skënderajt.
Policia e Kosovës në Skenderaj, dje pasdite është informuar për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm nga zjarri i paraqitur, ndërsa ka pranuar informatën edhe për viktimën e rastit, N. Rexha rreth 60 vjeç, i cili besohej të ishte pa shenja jete.
Hetuesit policorë dhe teknikët e kriminalistikës, të cilët kanë dalë në vend të ngjarjes, kanë identifikuar trupin e pajetë të viktimës, i cili besohet të ishte ngulfatur nga tymi, përgjatë përpjekjes së tij për të shuar zjarrin.
Ekipi mjekësor i shtëpisë së shëndetit në Skënderaj, ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me rrethanat e paraqitura, ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.
Në bazë të hetimeve preliminare nga vendi i ngjarjes, besohet se viktima ka humbur jetën aksidentalisht, ndërsa pritet raporti zyrtar i ekspertëve mjeko-ligjorë mbi shkaktarin e vdekjes.
Rrethanat e plota të këtij rasti mbetet të qartësohen me zhvillimin e mëtejmë të hetimeve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 September 2011 12:03