Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 08:43

Prishtinë (PLOTËSUAR 15:45) – Shefi i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha sot se për 12 vjet NATO ka arritur që në Kosovë të garantojë paqe e siguri për të gjithë dhe i paralajmëroi se nuk do të tolerohet kthimi prapa në dhunë dhe tensione të reja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha sot në Prishtinë se KFOR-i do të reagojë nëse rrezikohet siguria dhe paqja në veri të Kosovës. Këto komente, Rasmusen i bëri në konferencën për media, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi.

Shefi i NATO-s, Rasmusen, tha se KFOR- ka mandat të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt dhe në rast se ky mandat rrezikohet atëherë KFOR-i është i obliguar të reagojë në bëzë të mandatit që ka.

Rasmusen nuk dha detaje të operacionit për zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, por tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cënohet paqja në Kosovë.

“Trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurt”, theksoi Rasmusen.

Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti qëndrimin e institucioneve të Kosovës se nuk do të ketë kthim prapa dhe lëkundje para strukturave kriminale dhe ilegale në veri të Kosovës. Sipas tij plani i Qeverisë për veriun do të fillojë të zbatohet dhe është në koordinim të plotë me EULEX-in dhe NATO-n.

Anders Fog Rasmusen është takuar edhe me zv-kryeministrin Petroviq, ministrin e FSK-së, Agim Çeku dhe komandantin e KFOR-it Erhard Drevs. (LajmeShqip.com)

***********************************

Prishtinë – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, do të qëndrojë sot në Kosovë.

Rasmusen pritet të takojë komandantin e ri të KFOR-it, gjeneral-majorin, Erhard Drevz, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero, tha se Aleanca synon uljen e tensioneve kufitare në veri të Kosovës.

“Shefi i NATO-s do të kërkojë që të gjitha palët të bashkëpunojnë, të mbajnë dialog konstruktiv dhe të shmangin dhunën”, tha Romero.