Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 08:14

Budapest – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në ditën e dytë të vizitës në Hungari, u prit nga homologu hungarez, Pal Schmitt, i cili tha se, vendi i tij është krenar që ishte në mesin e vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës.

Sipas burimeve zyrtare të presidencës kosovare, Presidenti Schmitt tha se, Hungaria ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës dhe do ta ndihmojë atë në rrugën e saj përpara.

Ai tha se vendi i tij mbështet perspektivën evropiane për Kosovën dhe theksoi se Hungaria ka kërkuar nga të gjithë partnerët evropianë që të vazhdojnë procesin e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Schmitt tha se, nuk ka alternativë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor përveç anëtarësimit në BE dhe ky proces, tha ai, do të përmbyllet pasi të jenë plotësuar kushtet nga këto vende.

Ai tha se është i përkushtuar që të ndihmojë në lobimin për Kosovën tek vendet anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë bërë këtë, veçanërisht tek dy fqinjët e Hungarisë, Sllovakia dhe Rumania, të cilat kanë komunitet hungarez në vendet e tyre.

Presidenti Schmitt tha se, Hungaria do të hapë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare, që do të ndihmonte vendin në thellimin e reformave dhe qartësimin e rrugës evropiane, si dhe do të ndihmojë që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave. Presidenti hungarez tha se, marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Hungarisë duhet të thellohen edhe më tutje në fushën e ekonomisë dhe theksoi se duhet të inkurajohen bizneset hungareze për të investuar në Kosovë.

Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga vlerësoi se, Hungaria është mik dhe partner i ngushtë i Kosovës. Ajo tha se Hungaria e ka ndihmuar Kosovën në zhvillimin dhe avancimin e saj drejt integrimeve evropiane.