Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 07:39

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi mbrëmë se Partia Socialiste është e gatshme të bëjë gjithçka që i takon për të reformuar ligjin dhe administratën zgjedhore në Shqipëri.

“I njoha miqtë e mi me kursin e ri politik, qëndrimin tonë si një alternativë e re për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian, por edhe me nismat për reformën zgjedhore, atë të ndryshimit të procedurave parlamentare si dhe për reformimin e administratës zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos ngjajnë me të kaluarën”, u shpreh Rama, në ceremoninë e 20-vjetorit të krijimit të Fondacionit “Friedrich Ebert”, në Tiranë.

Sipas Ramës, ky 20-vjetor përkon me një kohë të vështirë për Shqipërinë, pasi vendi ynë përballet me dështimin e përsëritur për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Dita e sotme, tha më tej Rama, është një rast i veçantë mbi domosdoshmërinë e daljes nga rrethi vicioz i dështimit, që Shqipëria rrezikon të futet edhe këtë vjeshtë.

Ai vlerësoi lart edhe kontributin e Fondacionit “Friedrich Ebert”, në Shqipëri. Mbështetja financiare e teknike pa rezerva në proceset integruese të vendit tonë, shpreh më së miri ndjenjat miqësore të Gjermanisë ndaj nesh, ashtu siç na detyron të dëgjojmë dhe të përmbushim ekzigjencat ndaj politikës shqiptare si një e tërë, ku secili luan padyshim rolin e vet”, theksoi Rama.