Lajme Shqip Wednesday, 14 September 2011 19:05

Shkup – Partitë shqiptare në Maqedoni janë konfrontuar lidhur me procesin e regjistrimit, që duhet të mbahet prej 1 deri më 15 tetor të këtij viti.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), pas mbledhjes që kishte kryesia qendrore, ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të shtyjnë regjistrimin, pasi që, sipas saj, “mbajtja e regjistrimit në këtë periudhë ua merr të dritën mijëra qytetarëve shqiptarë që të regjistrohen”.

PDSH e Thaçit dyshon në manipulime të mundshme gjatë këtij procesi. Por, në këtë ka demantuar BDI, duke thënë se garanci për mbarëvajtjen e regjistrimit janë ndërkombëtarët dhe shqiptarët, që do të jenë pjesë aktive e regjistrimit.

“PDSH pandërprerë ka alarmuar se regjistrimi i popullsisë në Maqedoni është një çështje serioze, të cilën partitë politike dhe popullata duhet ta kuptojnë me seriozitet, posaçërisht partitë në pushtet, pra edhe BDI. Në të gjithë e dimë se regjistrimi është shumë i rëndësishëm, posaçërisht në shtetet multientike. Ne këtë seriozitet, pandërprerë e kemi paraqitur dhe prezantuar nëpërmjet kërkesave dhe propozim-ndryshimit të ligjit për regjistrim, përmes grupit parlamentar, i cili propozoi që regjistrimi të mos mbahet nga 1 tetori i këtij viti, por të mbahet në 2012, në muajin korrik, kur i kemi edhe bashkatdhetarët tanë këtu në vendlindje”, ka thënë Metin Izeti nga PDSH, duke ia tërheqë vërejtjen BDI-së se aspak nuk e ka të qartë se regjistrimi është çështje serioze aspak nuk e ka parasysh se nëpërmjet regjistrimit qeveria mundohet, posaçërisht maqedonasit, që ta margjinalizojnë elementin shqiptar në shtetin e Maqedonisë.

Ndërkohë, sipas zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, garanci për mbarëvajtjen e regjistrimit janë ndërkombëtarët dhe shqiptarët që do të jenë pjesë aktive e regjistrimit. “Ne mbetemi në qëndrimin tonë se nuk ka asnjë hapësirë për manipulim me procesin e regjistrimit, pra regjistrimi fillon për dy javë dhe nuk ka aspak hapësirë për skepticizëm. Regjistrimi i popullatës është interes kombëtarë dhe nuk duhet të jetë ‘mejdan’ i përfitimeve të përditshme politike. Garanci për mbarëvajtjen e regjistrimit është ‘Eurostati’, Komisioni për regjistrim dhe mbi 10 mijë qytetarë shqiptarë të cilët do të jenë të kyçur drejtpërdrejtë në procesin e regjistrimit. Bojkoti eventual nga ana e ndonjë partie politike do të ishte në dëm të popullatës dhe të interesave kombëtare të Shqiptarëve”, ka thënë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Ndërkohë, deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri, ka thënë se pjesa më e dhimbshme e këtij regjistrimi do të jetë manipulimi me numrin e shqiptarëve jorezidentë, respektivisht atyre që jetojnë jashtë Maqedonisë.

“Procesi i regjistrimit në Maqedoni duhet të anulohet, sepse periudha kohore e caktuar për mbajtjen e saj nuk është e përshtatshme për mërgimtarët shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre kthehen në vendlindje gjatë kohës së verës. Sipas analizave që kemi bërë ne si parti politike nataliteti i shqiptarëve në komunat shqiptare është në rritje dhe nga kjo mund të konstatojmë se  numri i shqiptarëve duhet të jetë më i madh në krahasim me regjistrimin e vitit 2002”, ka thënë deputeti i RDK-së, Zeqiri.

Procesi i regjistrimit do të mbahet në afatin e paraparë nga 1 deri më 15 tetor dhe se do të jenë të përfshirë mbi 20 mijë regjistrues. (LajmeShqip.com)