Shkup – Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Poll Uollers, deklaroi sot se shpreson në ndonjë progres në kontestin me emrin, por paralajmëroi se procesi zgjat një kohë dhe se do të ishte shumë optimiste të thuhet që përparimi të arrihet gjatë disa ditëve ose javëve të ardhshme.
Uollers, i cili mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Sekretariati për çështje Evropiane dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, kushtuar sfidave dhe perspektivave të sektorit medial në Maqedoni, ka thënë se para ardhjes së tij në Maqedoni është takuar me ndërmjetësuesin në kontestin për emrin, Metju Nimic.
“Fola me ambasadorin Nimic para se të vija këtu. Ai mbetet i përkushtuar në procesin dhe vazhdon të jetë optimist se do të ketë lëvizje edhe pse një kohë të gjatë punon në të. Nuk dëshirojë të parashikoj se çka do të ndodh dhe nuk jam drejtpërdrejt i inkuadruar në proces”, deklaroi Uollers, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a pritet ndonjë përparim në zgjidhjen e kontestit me emrin që të arrihet në takimet vijuese në Nju-Jork.
Ambasadori amerikan i mohoi pohimet se SHBA-ja kryen presion ndaj palëve në kontestin për zgjidhje të çështjes.
“Nuk dua të them se po kryejmë presion. Po përpiqemi të këshillojmë, të ndihmojmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë Uollers. Ai e përsëriti qëndrimin e theksuar dje për çështjen për emrin, duke deklaruar se SHBA mund të ndihmojë në tejkalimin e saj, por që Maqedonia dhe Greqia duhet ta sjellin zgjidhjen.
“Në këtë çështje duhet të punojnë Greqia dhe Maqedonia. Siç thash paraprakisht, ne e mbështesim procesin e OKB-së dhe do ta mbështesim çdo emër për të cilin palët do të dakordohen”, ka shtuar Uollers. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 September 2011 15:37