Tiranë – Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto zhvilloi të mërkurën një takim me Gernot Erler, zv/kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, i shoqëruar nga një grup deputetësh të kësaj partie.
Ministri Haxhinasto falenderoi Gjermaninë për mbështetjen që i jep Shqipërisë për integrimin në BE dhe vlerësoi progresin e rëndësishëm që ka sjellë bashkëpunimi shqiptaro-gjerman në të gjitha fushat.
Ministri Haxhinasto theksoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar për kryerjen e reformave të rëndësishme për vendin dhe veçanërisht për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, duke shtuar se duhet një pakt i vërtetë kombëtar për integrimin e vendit. Ai i njohu politikanët gjermanë me progresin që ka bërë Shqipëria vitet e fundit në shumë apekte, siç janë, rritja ekonomike, investimet publike, zhvillimet në infrastrukturë, roli konstruktiv të diplomacisë shqiptare në rajon dhe më gjerë etj.
Nga ana e tij, deputeti gjerman Erler, shprehu vlerësimin e tij për progresin e shënuar nga vendi ynë, vlerësoi futjen e opozitës në parlament dhe theksoi se nga Shqipëria pritet zbatimi konkret i 12 rekomandimeve të BE-së. Ai vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon.
Wednesday, 14 September 2011 15:04