Lajme Shqip Wednesday, 14 September 2011 13:54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) mblidhet mesditën e së enjtes (ora 12:00) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 8 majit, bëjnë të ditur burime zyrtare nga komisioni zgjedhor.

Sipas relacionit që shoqëron pr/vendimin “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 majit”, pas përfundimit të procesit të votimit dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për çdo njësi zgjedhore nga KZAZ-të përkatëse, vendimet e disa KZAZ-ve për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve u ankimuan në KQZ.

Në përfundim të shqyrtimeve administrative në KQZ, disa prej vendimeve të Komisionit u ankimuan në Kolegjin Zgjedhor. Në përfundim të procedurave ankimore në KQZ dhe në Kolegj,  Komisioni Zgjedhor dispononte rezultatin e votimit për 375  kandidatë për kryetar njësie dhe rezultatin e votimit për 381 këshilla vendorë.

Në përfundim të procesit të ankimit në rrugë administrative në KQZ dhe ankimit në rrugë gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor, KQZ vendosi të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në 10 njësi zgjedhore me datë 31 korrik.

Në 2 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e  zgjedhjeve si për kryetarin dhe për këshillin, në 7 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve vetëm për kryetarin dhe në 1 njësi zgjedhore u vendos përsëritja e zgjedhjeve vetëm për këshillin.

Në njësinë zgjedhore komuna Shalë(qarku Shkodër) më 31 korrik nuk u arrit mbajtja e zgjedhjeve për kryetar komune dhe KQZ vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në këtë njësi duke urdhëruar përsëritjen e tyre.

Në përfundim të ankimimeve në KQZ dhe në Kolegj Zgjedhor për zgjedhjet e përsëritura të datës 31 korrik, KQZ caktoi 21 gushtin si datën për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar në Komunën Shalë.

Pas marrjes së gjithë të dhënave zyrtare nga KZAZ-të dhe vendimet përfundimtare gjyqësore, KQZ disponon rezultatin e zgjedhjeve për kandidatët për kryetar dhe për këshillat për çdo zonë zgjedhore (Bashki, Komunë, Njësi Bashkiake)