Ndërpritet sot greva dyditore e doganierëve grekë në të gjitha pikat vendkalimet tokësore dhe detare në kufirin Shqipëri-Greqi. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës, bëri të ditur se autoritetet doganore greke kanë filluar prej mëngjesit të sotëm procedurat e zhdoganimit të mallrave dhe kanë lejuar të gjitha automjetet të hyjnë në territorin grek.
“Punonjësit e doganës greke e kanë ndërprerë grevën, pasi ata kanë rënë dakord me qeverinë për plotësimin e disa kërkesave të tyre ekonomike”, tha Mullai.
Po i njëjti burim bëri të ditur se deri tani kanë dalë në territori shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijes mbi 1000 emigrantë, 300 automjete si dhe 30 autobuzë.
Në prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika të kalimit kufitar, ajo e Kakavijes, rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe e “Tre Urave”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit.
Ndërsa, pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.
Wednesday, 14 September 2011 11:30