Ndërsa hetohet për të zbardhur shkaqet e ekzekutimit mafioz të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, një tjetër fakt ka dalë gjatë këtij procesi. Mosveprimi i policisë në kohë për t’i ardhur në ndihmë Konomit në momentin e atentatit.
Kështu sipas informacioneve nga prokuroria e Vlorës, mësohet se është hapur një tjetër hetim në lidhje me ekzekutimin mafioz të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, përvec atij për të zbardhur krimin e rëndë.
Të dhënat e marra nga dëshmitarët okularë, si dhe referuar pamjeve filmike , konstatohet se punonjësit e policisë dallohen qartë duke biseduar në telefon apo duke u munduar të bllokojnë trafikun, por asnjë nuk kujtohet t’i japë ndihmë gjykatësit të plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak minuta më vonë.
Edhe vetë largimi i gjyqtarit nga skena e krimit në bagazhin e një automjeti policie është një tjetër fakt i rëndë për të cilin policia e Vlorës duhet të përgjigjet. Gjyqtari i gjykatës së Vlorës, Skerdilajd Konomi mbeti i vrarë më 9 shtator në një atentat me makinë në qendër të qytetit të Vlorës dhe dyshimet e para kanë të bëjnë me vrasje për shkak të konflikteve të pronësisë.
Wednesday, 14 September 2011 11:17