Lajme Shqip Wednesday, 14 September 2011 10:15

Tiranë (PLOTESUAR 11: 31) – Kryetari i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore, Jonathan Stonestreet, iu kërkoi të mërkurën partive politike të nisin sa më parë punën për reformën zgjedhore, duke theksuar se raporti i ODIHR për zgjedhjet e 8 majit është një platformë e mirë për këtë proces.

“Të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë mirëpritur raportin përfundimtar, rekomandimet tona dhe janë dakord me to. Ne punuam shumë gjatë procesit të zgjedhjeve që të kishim një raport faktik e të besueshëm dhe rekomandime që do të vlenin. Besoj se është shumë e rëndësishme se për derisa ky raport mirëpritet nga të gjithë ai është një platformë e mirë për atë se çfarë do të bëhet tani e tutje”, u shpreh Stonestreet në një takim të shkurtër me shtypin, në përfundim të vizitës së tij në Tiranë.

Duke iu referuar takimeve që zhvilloi dje me përfaqësues të spektrit politik, ai tha se të gjitha partitë janë të interesuara për të nisur procecin e reformës zgjedhore. “Ata na konfirmuan gjithashtu se janë të interesuar të fillojnë pa u ngutur nga puna që të kenë kohë të mjaftueshme deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ranë dakord që reforma zgjedhore të jetë një proces gjithëpërfshirës, që duhet të përfshijë jo vetëm partitë parlamentare, por dhe ato jashtë tij, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështjet zgjedhore”, tha kryetari i misionit të ODIHR.

Duke theksuar se ka ardhur koha që të merren hapa konkrete në drejtim të reformës zgjedhore, ai konfirmoi  gatishmërinë e ODIHR për të dhënë asistencën e tij, për sa kohë kjo do të kërkohet nga institucionet shqiptare.

“Asistenca që mund të japë ODIHR mund të jetë në formën e rishikimit të ligjt, të draft amendamenteve apo me ekspertizën e ofruar në tryeza të rrumbullakëta që mund të organizohen në Shqipëri. Besoj se të gjithë ndërkombëtarët janë të interesuar të bëjnë sa të munden që të rritet besimi i publikut tek zgjedhjet. Ky është vetëm fillimi, por e shoh si një shenjë pozitive”, nënvizoi Stonestreet.

**************************************

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua të martën në mbrëmje me Jonathan Stonestreet, kryetar i misionit të OSBE/ODIHR, që vëzhgoi zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi raportin e OSBE/ODIHR-it si një raport të rëndësishëm, ku konstatohet sipas saj, një progres i dukshëm në ecurinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri, jo vetëm krahasuar me raportet e viteve të mëparshme, por bazuar edhe në realitet.

Duke ndarë të njëjtin mendim me kryetaren Topalli, z.Stonestreet tha se “nuk ka asnjë dyshim se ka patur shumë progres përsa i përket procesit zgjedhor në Shqipëri.”

Përsa i takon reformës zgjedhore, shefi i misionit të OSBE/ODIHR theksoi se “parlamenti është bërthama e  reformave dhe si i tillë është institucioni kyç për reformën zgjedhore. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë”.

Rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR, tha Kryetarja e Kuvendit, “do të jenë një udhërrëfyes për reformën e ardhshme zgjedhore, reformë që kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile, me asistencën e OSBE/ODIHR-it”.

“Si kryetare e Kuvendit mbështes  fillimin konkret të punës. Dua të jem optimiste se kthimi i opozitës në parlament do të shoqërohet me vepra dhe jo të mbetemi tek fjalët”, tha ajo.

Stonestreet tha se “raporti i OSBE/ODIHR-it është mirëpritur nga të gjitha palët dhe unë dua të besoj në fjalën e tyre se do ta shfrytëzojnë këtë raport për reformën zgjedhore.”

Ne jemi të gatshëm, vijoi ai, “që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojmë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore.”