Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në vizitën treditore shtetërore në Hungari, të filluar dje, me ftesën e Presidentit Pál Schmitt, takoi në darkë pune prefektin e Budapestit, Istvan Tarlos.
Në një bisedë të gjatë dhe miqësore, sipas burimeve zyrtare të Presidencës kosovare, Presidentja Jahjaga theksoi se Hungaria është një vend mik i Kosovës, i cili e ka përkrahur në të gjitha periudhat. Ajo gjithashtu theksoi se Hungaria është një nga vendet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës shumë shpejt dhe ka kontribuuar në kuadër të misioneve të ndryshme në vend.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme në rrugën e integrimeve evropiane në të cilën Hungaria po jep një kontribut të madh.
Ajo tha se Kosova mund të përfitojë nga përvojat e organizimit të kryeqytetit nga Budapesti dhe shtroi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet Prishtinës dhe kryeqytetit hungarez.
Nga ana e tij, prefekti i Budapestit, Istvan Tarlos, tha se admiron rrugën që ka ndjekur populli i Kosovës drejt pavarësisë dhe tani në ndërtimin e shtetit demokratik.
Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me kryeqytetin e Kosovës, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, por edhe për ta ndihmuar atë në realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve.
Në vazhdim të vizitës Presidentja Jahjaga do të takohet me Presidentin e Hungarisë, Pál Schmitt, kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, László Kövér, kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, ambasadoren e SHBA në Hungari, Eleni Tsakopoulos etj.
Wednesday, 14 September 2011 10:01