Lajme Shqip Wednesday, 14 September 2011 08:16

Kukës (PLOTËSUAR 09:24) – Afër mesnatës së djeshme u bë e mundur nxjerrja e trupave të pajetë të dy shtetasve, që pasditen e kaluar mbetën nën rrënojat e një galerie të shembur në minierën e kromit të Kalimashit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Kukësit.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se nxjerrja e trupave pajetë të punëtorëve Xhezair Sulmataj nga Myc Mamëzi dhe Besim Halili nga Bicaj, u arrit të realizohej vetëm afër mesnatës, për shkak të vështirësive të punës nën tokë.

Vendburimi i Kalimashit është marrë me koncesion nga kompania “IMI”, kompani kinezo-turke, ashtu si dhe vendburimi i Vllahnës në rrethin e Hasit. Por, deri tani ende nuk ka nisur punën për shkak të konflikteve që ka me komunitetin, konflikte që kanë çuar në ndonjë rast edhe ndërhyrjen e forcave të policisë e shoqërimin në polici të aturoëve të grindjes.

Kjo ka sjellë që vetë banorët e fshatit të Kalimashit të vazhdojnë grumbullimin e mineralit pa përfilluar as rregullat minimale të sigurimit në punë, ndonëse punohet në nëntokë.

Një dukuri e tillë ndodh prej më shumë se 15 vjetësh kur ky rajon krommbajtës po  shfrytëzohet nga firma të licencuara e të palicencuara të kromit, gjë që ka sjellë edhe shumë aksidente, deri në humbjen e jetës. Vetëm gjatë këtij viti  në këtë vendburim kanë humbur jetën 4 persona.

****************************

Kukës – Forcat e policisë së Kukësit dhe banorë të zonës së Kalimashit kanë vazhduar të martën në mbrëmje operacionin për nxjerrjen e dy punëtorëve që kanë mbetur në thellësitë e një galerie në minierën e Kalimashit, pas shembjes së një mase dheu.

Dëshmitarë nga vendngjarja pohojnë “se nga momenti i aksidentit të martën pasdite, dhe deri në mbrëmje, është punuar pa ndërprerje për rihapjen e galerisë, por operacioni është penguar nga një gur i madh duke vështirësuar nxjerrjen e trupave të dy punëtorëve, Xhezair Sulmataj, 33 vjeç dhe Besim Halili, 55 vjeç”.

Dy punëtorët kanë qenë duke punuar për grumbullimin e kromit privatisht, ashtu sikurse ndodh rëndom në Kalimash, ku dhe u shemb galeria në sektorin e vjetër të minierës.

Bashkë me ta ka qenë duke punuar dhe Albert Sulmataj, 23 vjeç, i cili ka mundur të dalë nga thellësia, ndonëse i plagosur rëndë. 23-vjeçari është transportuar në spitalin ushtarak të Tiranës, të martën në mbrëmje.

Dy muaj më parë në minierën e Kam Tropojës humbi jetën një grua, ndërsa mbeti i plagosur bashkëshorti i saj.