Mitrovicë (PLOTESUAR 13:45) – Pritet finalizimi i marrëveshjes për planin operacional të rivendosjes së kontrollit doganor në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe fillimin e implementimit të marrëveshjes së 2 shtatorit për tregtinë e lirë me Serbinë.
Bëhet e ditur se draft-marrëveshja për të cilën parimisht janë pajtuar Qeveria e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe vendet e Quint-it, parasheh që në këto pika do të vendosen doganioerët dhe policët e EULEX-it, nën komandën e Doganave, përkatësisht të Policisë së Kosvës.
Draft-marrëveshja për planin opercional të rivendosjes së kontrollit doganor në pikat kufitare 1 dhe 31, pritet që sot pasdite të marrë formën zyrtare, pasi të harmonizohet me të gjithë partnerët e implikuar në të.
Lajmin e konfirmoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili nuk dha detaje të tjera, duke shtuar se ato do të bëhen të ditura pas takimit të përbashkët të Kryeministrit me përfaqësuesit e KFOR-it, EULEX-it, dhe vendeve të Quint-it.
Bëhet e ditur se ndryshimet mund të jetën të vogla, por në esencë pajtueshmëria është arritur që në pikat kufitare 1 dhe 31, do të vendosen doganierët dhe policët e EULEX-it nën komnadën e Doganave, përkatësisht të Policisë së Kosvës.
Në pikën 1, në Jarinjë, e cila është djegur nga grupe serbësh, fillimisht do të vendosen vetëm policët deri sa të plotësohen kushtet teknike për vendosjen e doganierëve. Për këtë plan operacional të rivendosjes së kontrollit doganor në këto dy pika kufitare janë dakorduar parimisht Qeveria e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe vendet e Quint-it. Madje, EULEX-i e ka njoftuar zyrtarisht edhe Qeverinë e Serbisë, se që nga 16 shtatori, në këto pika do të vendoset kontrolli doganor. Qeveria e Kosovës, në funksion të implementimit të marrëveshjes së arritur me Serbinë, më 2 shtator, në Bruksel, për tregtinë e lirë, ka përcaktuar 16 shtatorin si datën e fillimit të zbatimit të saj. (Lajmeshqip.com)
**************************
Mitrovicë – Më 16 shtator në pikat kufitare 1 dhe 31 do të vendosen policët dhe doganierët e EULEX it, ndërsa në krye të tyre do të jenë komandantë të policisë, përkatësisht të Doganave të Kosovës.
Kështu janë marrë vesh Qeveria e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe ambasadat e Kuintit në Prishtinë. Draft marrëveshja e hartuar pritet të zyrtarizohet pas një takimi të përbashkët të kryeministrit Hashim Thaçi me shefin e EULEX-it, komandantin e KFOR-it dhe zyrtarët tjerë ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Qeveria e Serbisë ka përgatitur një letër për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, në të cilën flitet për marrjen e pikave kufitare në veri, nga pushteti në Prishtinë.
Në letrën që iu adresohet edhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, thuhet se deklaratat e Prishtinës për atë se çfarë do të ndodhë nga e premtja, më 16 shtator – pas skadimit të marrëveshjes me KFOR-in – “paraqesin paralajmërim për dhunë, me të cilët rrezikohet siguria në Kosovë dhe në rajon”.
Aty kërkohet që “OKB, BE dhe NATO t’i marrin masat e duhura, në bazë të mandatit, që të shmangin dhunën dhe të sigurojnë kushte për dialog të mëtejmë”, transmeton gazeta serbe Danas.
Tuesday, 13 September 2011 13:30