Lajme Shqip Tuesday, 13 September 2011 10:16

Vlorë (PLOTËSUAR 11:47) – “Në momentet që kreu veprimin e hedhjes së foshnjes nga ballkoni i katit të tretë të maternitetit të Vlorës, 25-vjeçarja Eglantina Meçe, mund të ketë qenë në kushtet e depresionit, ose nën efektet e një psikoze”, deklaroi drejtori i spitalit të Vlorës, Besnik Elezi. Sipas tij, aktualisht mjekët neuropsikiatër po punojnë për të saktësuar rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, duke bashkëpunuar me ekspertët e policisë. Elezi sqaroi se, gjendje të tilla psikologjike janë të pranishme dhe shoqërojnë mjaft nëna të reja në periudhën e paslindjes dhe konstatohen më shpesh tek ato që lindin për herë të parë.

Por, gjithsesi, sipas tij, “do të jetë mendimi përfundimtar i specialistëve që do të saktësojë motivet që e shtynë 25 vjeçaren për të kryer veprimin ekstrem”. Elezi shtoi se, përpara se të hidhte foshnjën e vet nga ballkoni i katit të tretë, Meçe kishte thirrur familjarët e saj, mes të cilëve edhe bashkëshortin, duke përdorur si argument problemet shëndetësore. Në çastet kur ata kanë mbërritur pranë saj, ajo ka kryer veprimin duke hedhur fillimisht nga ballkoni foshnjën e saj të seksit mashkull, të lindur paraditen e të dielës dhe më pas tentoi të vetëvritej duke u hedhur edhe vetë.

Ndërkohë që foshnja ndërroi jetë menjëherë, nëna e re pësoi dëmtime të ndryshme, por pa pasoja për jetën. Aktualisht ajo është në gjendje të rënduar psikologjike, duke u trajtuar nga mjekët dhe një psikologe. Ndërkohë, vetë familjarët kanë mbetur të shokuar nga ky veprim i të afërmes së tyre. Bashkëshorti i saj, tejet i tronditur nga ngjarja, është shprehur se nuk kanë patur probleme familjare që mund ta çonin gruan e vet në këtë veprim.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03.00 në maternitetin e Vlorës, që ndodhet në katin e tretë të godinës së spitalit të këtij qyteti, kur 25 vjeçarja Eglantina Meçe hodhi nga ballkoni foshnjen e vet dhe më pas u hodh edhe vetë. Meçe kishte lindur në kushte normale dhe gëzonte shëndet të plotë bashkë me foshnjen. Deri tani nuk ka një deklarim zyrtar të policisë lidhur me këtë ngjarje.

*************************************

Vlorë – Një 25-vjeçare nga Vlora hodhi sot nga ballkoni i maternitetit foshnjën e posalindur, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që të njëjtin veprim e bëri më pas edhe me veten, por pa pasoja për jetën.

Burime spitalore bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 03.00 të mëngjesit të sotëm, kur Eglantina Meçe, hodhi nga ballkoni i katit të tretë të maternitetit në spitalin rajonal, foshnjën që kishte lindur tre ditë më parë. Pas këtij veprimi, Meçe është hedhur edhe vetë dhe nga përplasja në tokë mori dëmtime të ndryshme, pa pasoja për jetën.

25-vjeçarja nga Vlora, që ishte martuar në Lushnjë, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndërkohë që aktualisht është në gjendje të rënduar psikologjike. Nuk bëhen të ditura shkaqet që e çuan Meçen të kryente këtë veprim.