Tiranë – “Shqipëria ndjehet krenare për kontributin e saj modest në luftën kundër terrorizmit”, deklaroi Kryeministri Sali Berisha, në ceremoninë e çeljes së ekspozitës në nderim të viktimave të 11 shtatorit, që u hap të hënën në mbrëmje në Tiranë.
“Ne i jemi mirënjohës SHBA-së për udhëheqjen që i ka bërë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Jemi krenar që rreshtohemi pranë jush dhe japim ndhihmën tonë modeste në rezultatet e kësaj lufte, për paqen dhe stabilitetin në botë”, vijoi Kryeministri Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, 11 shtatori, ishte dita më tragjike e historisë së kombit amerikan, ishte sulmi më i rëndë që një agresor ndërmori në territorin e vendit tuaj.
Po atë ditë, u shpreh Kryeministri Berisha, krahas një patriotizmi të pa precedentë që shpërtheu në vendin tuaj, njerëz të lirë në të katër anët e botës, u ndjenë amerikanë, sepse asgjë nuk mund të prekë më shumë njeriun e qytetëruar, se sa humbja e një jete të pafajshme, por para së gjithash, sepse SHBA-të kanë bërë më shumë se çdo komb e vend tjetër, për lirinë e qytetarëve të vendeve të tjera në tërësi, në Europë e në botë.
Në këtë drejtim, kreu i qeverisë shtoi se kombet e lira i detyrohen kombit amerikan. “Ata që i ideuan, projektuan dhe ekzekutuan këto sulme morën si shpërblim skëterrën e përjetshme që meritonin”, theksoi Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu edhe vendimet e marra nga presidentët e SHBA-ve, Bush dhe Obama në luftën kundër terrorizmit që bënë të mundur vrasjen e Bin Ladenit në prag të 10 vjetorit të sulmeve.
“Goditjet e pandërprera që iu bënë terrorizmit, nuk i lejuan ata të ndërmarrin sulme të tjera në vendin tuaj”, u shpreh Berisha.
Monday, 12 September 2011 20:28