Shkup – Ligji i amnistisë ka filluar implementimin e plotë të tij. Kjo, lidhur me lirimin nga akuza e rastit “Punëtorët e Mavrovës”, gjykata themelore e Tetovës ka marë vendim për heqjen e akuzës ndaj Ibrahim Sulejmanit, i akuzuar për vepra që kanë lidhje me vitin 2001.
Lajmin për tërheqjen e akuzës e kanë konfirmuar për Portalin LajmeShqip.com burime të larta gjyqësore. Sipas këtij vendimi, ndaj të akuzuarit Ibrahim Sulejmani ndërpriten të gjitha procedurat penale që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001.
Sulejmani akuzohej për ‘krime lufte kundër popullatës civile’ dhe ‘aktivitete përgatitore për terrorizëm’, dhe po vuan dënimin tash e nëntë vjet, si i akuzuari i vetëm i cili nuk ishte i përfshirë me ligjin për amnisti dhe që ka të bëjë me konfliktin e vitit 2001.
Ibrahim Sulejmani do të mund të lirohet nga burgu menjëherë, në rast se ndaj tij nuk ka të hapura procedura tjera gjyqësore.
Në burgun e Shtipit, ku është duke vuajtur dënimin Ibrahim Sulejmani, nuk japin asnjë informacion. Por, ata vetëm kanë konfirmuar se i akuzuari gjendet në burgun e tyre, ndërsa nuk kanë dhënë asnjë informatë se kanë marrë ndonjë vendim nga gjykata e Tetovës për lirimin e tij.
Tërheqjen e akuzës ndaj Ibrahim Sulejmanit e paralajmëroi edhe vetë ministri i drejtësisë Blerim Bexheti. Ai kërkoi nga institucionet që të respektojnë ligjin për amnisti, pas interpretimit që bëri Parlamenti i Maqedonisë.
Javën e kaluar, Gjykata themelore Shkupi 1 liroi nga akuza 23 të akuzuarit për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, me ç’rast edhe zyrtarisht filloi zbatimi i Ligjit për amnisti, pas interpretimit autentik që bëri Parlamenti i Maqedonisë. Ligji për interpretim autentik ishte pjesë e marrëveshjes politike midis liderit të BDI-së dhe atij të VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit.
Me miratimin e këtij ligji, edhe pse u hap procedurë hetimore, mbyllen edhe rastet tjera të Hagës, si Penda e Likovës, ajo e “Udhëheqësisë së UÇK-së” dhe rasti i “maqedonasve të zhdukur”.
Interpretimi autentik i Ligjit për amnisti u miratua në korrik të këtij viti dhe ishte një ndër pikat kryesore të marrëveshjes së arritur midis Gruevskit dhe Ahmetit. Me këtë ligj lirohen nga ndjekja, ndalohen procedurat penale dhe plotësisht lirohen nga vuajtja e dënimit me burg, qytetarë të Republikës së Maqedonisë, persona me qëndrim ligjor, si dhe persona të cilët kanë pronë ose familje në Republikën e Maqedonisë, për të cilët ekziston dyshim bazë se kanë përgatitur ose kryer vepra penale të lidhura me konfliktin e 2001. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 September 2011 19:49