Tiranë – Prokurorja e Përgjithsh
me, Ina Rama, zhvilloi sot një takim me zv/presidenten e Federatës së Grave Kineze, Song Xiuyan, e cila po zhvillon një vizitë në vendin tonë në krye të një delegacioni.
Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Ina Rama u shpreh se hapja e Shqipërisë në rrugën e demokratizimit ka tregues të saj dhe faktin se femrat shqiptare po zenë një vend gjithnjë e më të dukshëm e aktiv në shoqëri si dhe përfaqësohen në detyrat më të larta shtetërore.
“Vetëm në Prokurorinë Shqiptare, sot mund të thuhet se rreth 30% e prokurorëve në detyrë janë femra të cilat kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe të kualifikuara profesionalisht”, bëri të ditur kryeprokurorja.
Duke bërë një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare, Rama theksoi angazhimin e organit qëndror të akuzës, në mbrojtjen e të drejtave të grave, në fenomenet negative të dhunës në familje apo në abuzime të ndryshme.
Ndërsa zv/presidentja e Federatës së Grave Kineze, Song Xiuyan, duke iu referuar kalendarit kinez, shpjegoi se “sot është dita e bashkimit familjar, ndaj kjo është një vizitë e veçantë”.
Ajo shprehu admirimin e saj për rolin e prokurorisë në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe më tej bëri një panoramë të punës dhe objektivave të Federatës së Gruas Kineze, si një ndër organizatat më të mëdha të grave në botë, në mbështetje të grave në karrierë, në punë, bisnes dhe në fushën e shëndetësisë dhe të arsimimit.
Monday, 12 September 2011 17:27