Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi të hënën se maxhoranca është e angazhuar për të bashkëpunuar me opozitën për të gjitha ligjet, ndërsa theksoi se shpreson që opozita të tregojë me vepra ato që i ka shprehur me fjalë.
“Unë pres vepra pas fjalëve. Nuk kam përse të paragjykoj, ajo që unë mund të bëj si Kryetare e Parlamentit është që t’i nxis dhe inkurajoj për të bërë detyrën të gjitha forcat politike dhe dua të mendoj pozitivisht për secilin. Por, e vërteta është se bllokimi dhe bojkoti i kanë bërë shumë dëm vendit”, deklaroi Topalli, gjatë një konference për shtyp, pas takimit me deputetin e Bundestagut gjerman, Roderich Kieseëetter.
Ajo falenderoi për mbështetjen e jashtëzakonshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, duke theksuar intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, përmes rritjes së investimeve gjermane në vend.
Deputeti gjerman deklaroi se për statusin e vendit kandidat Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet dhe të realizojë reformat. “Qeveria gjermane mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. Po, për shkak të bojkotit në parlament Shqipëria ka humbur kohë të vlefshme dhe ka ardhur momenti për ta ndryshuar këtë”, theksoi deputeti Kieseëetter.
“Është në dorën e Shqipërisë që të marrë në dorë frenat dhe të gjithë ju e dini se sa shumë e dëshiron populli shqiptar hyrjen në BE. Për këtë arsye ne ju inkurajojmë për të ecuar përpara dhe për të përmbushur të gjitha detyrat që keni”, theksoi parlamentari gjerman.
Monday, 12 September 2011 16:10