Prishtinë – Vatikani përkrah Republikën e Kosovës në të gjitha aspektet. Qytetarët e Kosovës së shpejti pritet të marrin lajme të mira nga Vatikani, sa i përket njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Kjo u bë e ditur gjatë takimit që Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot me Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, i cili njëkohësisht është nunci apostolik për Slloveni, njoftohet në një komunikatë të MPJ-së kosovare.
Ministri Hoxhaj, ka falenderuar z. Janusz për përkrahjen e vazhdueshme të Vatikanit për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Selinë e Shenjtë, duke shprehur bindjen se Vatikani do të ketë rol edhe më të fuqishëm në progresin e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat në të ardhmen.
Në anën tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Vatikanit për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
Ai ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e Vatikanit për zhvillimin e mëtejshëm të proceseve demokratike në Kosovë.
Sa i përket çështjes së njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë, Juliusz Janusz ka thënë se shumë shpejt do të kthehet në Kosovë me lajme të mira nga Vatikani, në këtë drejtim.
Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në Festën e Nënës Terezë në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Monday, 05 September 2011 17:57