Bulqizë – Minatorët e Bulqizës kanë vijuar edhe sot protestën e tyre përpara zyrave të “ACR”. 
Protesta ka më shumë se tre muaj që ka nisur dhe pritet të vazhdoj deri në realizmin e kërkesave të tyre, për rritjen e rrogës 20-40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit, si dhe largimin nga detyra të administratorit të kompanisë “Albanian Crom”.
Ndërkaq, ditën e shtunë protesta u shoqërua dhe me mbledhjen rutinë të komisionit të protestës, i cili ritheksoi edhe një herë vendimet e marra gjatë ditëve të kaluara, për vazhdimin e protestës nga ora 07.00 deri në orën 15.00, çdo ditë deri të hënën, kur pritet të nis dhe sezoni i ri parlamentar.
Në këtë mbledhje minatorët kanë kërkuar që qeveria të rishikojë statusin e tyre dhe të vendosë në vend dinjitetin e punëtorëve të minierave, duke përfshirë këtu kërkesat e parashtruara, duke bërë të qartë se, nëse nuk do të ketë një nënshkrim të marrëveshjes, atëherë protestat do të përshkallëzohen më tej duke kërcënuar me rifillim të grevës së urisë.
Saturday, 03 September 2011 13:27