Mitrovicë – Rrokulliste kontrabanduesi i mallrave të Serbisë në shpejtësin 120-150 km/h, pasi që tentoi t’i ikte Policisë së Kosovës. Kontrabanduesi përfundoi në spital me lëndime të lehta trupore.
Pas mesditës, njësitë e trafikut rajonal të Mitrovicës i janë përgjigjur një aksidenti në trafik, që ka rezultuar me lëndime trupore të një 21-vjeçari.
Aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë- Prishtinë, përkatësisht në fshatin Stanovc të Vushtrrisë ka thënë policia. Aksidenti është shkaktuar nga vetë ngasësi i automjetit “Audi A4”, i cili besohej të kishte shkaktuar rrezikim të trafikut publik, duke tentuar të shmangej nga ndjekja e policisë së Kosovës për shkak të ngarkesës së mallrave të dyshuara të kontrabanduara në automjetin e tij.
Njësiti policor, anti–kontrabandë, ka identifikuar automjetin e dyshuar në rrugën magjistrale ndërsa ka filluar ndjekjen e tij, në pjesën e magjistrales te fshati Pestovë.
Ngasësi i automjetit nuk i ka përfillur urdhrat e dhëna për ndalim nga Policia e Kosovës ndërsa ka ngritur shpejtësinë e automjetit të cilin e drejtonte.
Besohet se i njëjti, ka lëvizur me shpejtësi prej 120 deri 150km/h. Me të arritur në fshatin Stanovc, ngasësi i dyshuar, me veturën e tij “Audi”, gjatë tejkalimit të një automjeti civil, prekë të njëjtin në anën e tij të majtë dhe me atë rast i njëjti humb kontrollin duke u rrokullisur jashtë rrugës.
I dyshuari D.K. (1990), banor i lagjes Bair të Mitrovicës, me lëndime trupore është dërguar në repartin emergjent në Vushtrri, për t’u transferuar në QKUK Prishtinë, për trajtim të mëtejmë. Në automjetin e dyshuar, policia ka identifikuar 104 shishe alkooli dhe 19 shishe birra të gjitha prodhim Serb.
Një sasi e mallit të paevidentuar, është dëmtuar gjatë aksidentit të shkaktuar. Automjeti i aksidentuar është tërhequr nga vendi i ngjarjes ndërsa mallrat e dyshuara të kontrabanduara i janë dorëzuar autoriteteve të doganave të Kosovës në Mitrovicë. Ndaj të dyshuarit, policia ka iniciuar rastin për rrezikim të trafikut publik dhe kontrabandim me mallra. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 August 2011 17:18